Nga Klaudio Ndreca
Superiorja është përcaktuar që të fillojë në datën 3 qershor, pas takimit të fundit që ka bërë FSHF me krerët dhe presidentët e klubeve shqiptare. Atje është vendosur edhe afati i fundit për rifillimin e kampionatit, por drita jeshile duhet pritur ende nga Qeveria.
Gjithsesi vullneti i të gjithëve është dukshëm për vazhdimin e kampionatit dhe ka pasur dakortësi, pavarësisht se në kohët e fundit janë shtuar zërat kundër. Në fakt është vetë UEFA që e ka bërë të qartë se është hapur një komision i posaçëm për vendet që e mbyllin kampionatin në tavolinë. Atje duhet të dëshmohen arsyet dhe duhet të tregohet se ka qenë vërtetë e pamundur zhvillimi i ndeshjeve në fushën e lojës, pasi në të kundërt ekipet do të penalizohet dhe nuk shkon dot askush në Europë.
Shqipëria do ta kishte edhe më të vështirë arsyetimin përpara UEFA-s, pasi dihet që numrat e infektimit nga pandemia në vendin tonë janë tmerrësisht të vegjël. Nëse Italia, Spanja dhe Gjermania e kanë gjetur mundësinë për ta vazhduar në fushën e lojës, atëherë arsyet për ta mbyllur Superioren janë të vështirë për t’u gjendur. Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, sipas asaj që raporton “Syri.net” kërkoi ndërprerjen e kampionatit.
“E vështirë që në Shqipëri të plotësohet protokolli, por do mundohemi. Do ketë kosto më të madhe. Shpresojmë ta realizojmë. Nuk është e vonuar data 3 qershor, nuk mund të fillonte më shpejt. Unë doja të ndërpritej fare për vete.
UEFA nuk e lejon që të ndërpritet sepse digjen klubet që shkojnë në Europë. Partizani është jashtë Europë, por edhe kushtet e Shqipërisë, janë të vështira, ndaj opinioni im ishte që të ndërpritej. Por UEFA i penalizon klubet që shkojnë në Europë, ndaj do bëhet, por kushtet në Shqipëri janë shumë të vështira”, u shpreh Demi. /Sport Ekspres/