Kukësi nuk ka arritur që të mund Tiranën për të zbukuruar sadopak kampionatin, megjithëse llogaritë për vendin e parë duken tërësisht të mbyllura. Verilindorët kanë marrë një barazim pa gola ndaj bardhebluve.
Kjo ndeshje nuk është ngritur në nivelin e pritshmërive të larta, teksa në të shumtën e rasteve topi qarkullohej pa krijuar rrezikshmëri reale. Goditja e parë e vërtetë ishte ajo e Gjelbrim Taipit në të 65 ku Bekaj dhe më pas shtylla i mohoi golin Kukësit.
Në fund është një pikë e marrë për Tiranën që e ka gjithçka në kontroll. Kjo ishte ndeshja e fundit e fazës së tretë, teksa në total bardheblutë kanë grumbulluar 20 pikë, po aq sa kanë marrë në fazën e parë dhe të dytë, si për të dëshmuar vazhdimësinë e tyre. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Longo: “Sot luajtëm ndaj ekipit më të mirë në kampionat, që është shkëputur shumë nga të tjerët. Në këto ndeshje duhet të tregohesh i zgjuar dhe të luash në këtë mënyrë. Jam i lumtur për mënyrën sesi luajtëm, kishim rastet tona. Kishim mungesa si Fejaio, Lukas, Basha. Dhe Tiranës nëse do t’i heqësh Xhixhën, Seferin dhe Limajn atëherë do të kishte shumë probleme. Shkurtaj është i dëmtuar, ka probleme në gju. Kur luan ndaj Tiranës nuk mund të luash hapur pasi të v.rasin kur gjejnë hapësirë. Vllaznia po afrohet? Jam i sigurt se ne do të dalim në vendin e tretë, nuk shoh rrezik. Kam parë shpirtin e ekipit dhe mënyrën si stërviten lojtarët.
Shehi: “Longo më tha pas ndeshjes: “Jeni shumë të fortë, nuk është e drejtë”. Ishte një ndeshje që ne donim ta kishim në ekuilibër, megjithëse mund të bënim më mirë. Kishim disa episode shënimi, por që të jemi në sulm gjithë kohën ka të bëjë orari dhe ambienti. Motivimi është i rëndësishëm, kur shkon në këtë distancë të largët, l.ufta është me veten. Në këto ndeshje të fundit që kemi nuk ka nevojë që të bëjmë shkencë, duhet të jemi në ekuilibër dhe të mos na rrezikojnë kundërshtarët”.