“Nuk shoh asnjë kandidat me projekte më të mira se të miat”

 

“Mendoj që qëndrimet kritike permanente janë në minorancë dhe me qëllime të përcaktuara jo sportive. Sepse kanë interesa të tjera”

Zoti president, vijmë dhe e bëjmë bisedën pak më politike. Dështimi në zgjedhjet për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, koinçidoi edhe me hapjen e çështjes së Skënderbeut. Sikur pati një dorë që kërkoi të ndikonte të njolloste futbollin shqiptar kur një zyrtar i tij në rastin konkret ju kishit hyrë në zgjedhje për Qeverinë më të lartë të UEFA-s?

Normalisht që nuk ishte një shtysë pozitive për kandidimin tim çështja e Skënderbeut. Madje jo vetëm ajo, pasi ka pasur edhe zhvillime të tjera, nga shtysa të jashtme jopolitike që ndikuan dhe nuk di nga kanë ardhur. E keqja është që ne letrat gjithmonë na vijnë nga fshati (nga brenda)…

Pra, ju po thoni që ka pasur interference negative nga Shqipëria në UEFA për moszgjedhjen tuaj atje?

Po patjetër dhe këto janë bërë publike por me lejoni t’ju them që në fakt unë nuk e kam përjetuar dhe nuk e konsideroj dështim mosarritjen të zgjidhem në KE të UEFA-s. Natyrisht nëse do të isha në tavolinën europiane të futbollit nuk do të ishte një sukses i Armand Dukës, por vendit dhe futbollit shqiptar. Por, edhe kandidimi dhe arritja e atyre votave sërish ishin jo pak dhe e konsideroj diçka pozitive. Ndikimet që thamë kishin të bënin me një letër që u shkoi të gjitha federative. Duket sikur nga një person politik, por nuk di emra, nuk mund të përcaktoj emra. Është e vështirë. Hetimi i Skënderbeut në të njëjtën periudhë ishte negative, por rezultatin realisht nuk e kam përjetuar keq. Nuk kisha pritshmëri të numrit të madh të votave.

Por pas kualifikimit të Skënderbeut në grupet e Europa League deklaruat që Skënderbeut i ndodhi njësoj si Italisë kur fitoi Botërorin në kohën e “Calciopolit”. Mua personalisht kjo mu duk e ekzagjeruar…

Realisht nuk e kisha menduar teksa dhashë një prononcim të tillë. Një diçka ardhur spontanisht dhe natyrshëm. E mora si fenomen jo normal, por që ndodh. E krahasova jo me Italinë si ekip, por si fenomen. Ku pas një kalimit të një periudhe të vështirë për një skuadrës apo klub futbolli, atëherë gjejnë forca dhe energji. Nuk kam dashur të krahasoj Skënderbeun me Italinë.

Ka edhe akuza që jeni favorizues i Skënderbeut dhe disa klubeve përsa kohë jeni në krye të FSHF-së…

Futbolli është garë dhe kush nuk e fiton këtë garë ka pakënaqësitë e veta, kush e fiton mbetet i kënaqur. Realisht unë nuk jam tifoz i Skëndebeut, por jam tifoz i Vllaznisë, edhe pse Vllaznia nuk ka pasur rezultate pozitive.

Nga viti 2001 e këtej ka një përzierje të madhe të politikës në futboll. Dhe këtë nuk e them vetëm unë. Pse është kaq e vëmendshme politika ndaj futbollit? Interes ekonomik, elektoral apo }farë sipas jush?

E thashë edhe pak më lart që politika është përgjegjëse për gjithçka në një vend. Nëse je korrekt në krijimin e kushteve dhe inçentivave për zhvillimin dhe progresimin e sportit këtu nuk ka asgjë të keqe dhe ne nuk mund ti themi jo politikës. Më pas nga sporti politika mund të themi që ka benefitet e bardha që i ka e gjithë shoqëria. Benefitet politike janë ku sporti e aq më shumë futbolli lidhet me aspektin elektoral. Sepse ndiqet si sport nga të gjithë njerëzit. Nuk di të ketë gjë tjetër, përveç pushtetit elektoral.

Çfarë ndodh kur me ndryshimin e qeverive ndryshojnë edhe sukseset. Klubet tradicionale janë aktualisht në Kategorine e parë, ndërsa skuadra tradite si Partizani, Flamurtari e Dinamo e të tjera kanë pësuar deklin, befas ngjiten të tjera. Kjo lidhet me pjesën politike? Çfarë ka ndodhur këtu?

Nuk ka ndodhur diçka, por ka ndodhur shumëçka, sepse kemi ndryshuar regjimin dhe nuk duhet ta harrojmë kurrsesi këtë. Ishim në një sistem të atëhershëm diktatorial ku klubet si Dinamo e Partizani financoheshin, menaxhoheshin e drejtoheshin nga ministri të pushtetshme të asokohe. Ishte e gjithë vëmendja e Qeverisë në to. Patjetër që do ishin skuadra të suksesshme. Dhe nuk ishim në një sistem të ekonomisë së tregut. Ka shumë nostalgjikë për Dinamon e shumë ekipe të tjera. Kanë ndryshuar gjërat sepse tani të gjitha klubet janë shoqëri aksionere dhe kanë të njëjtin shans të gjitha. Menaxhimi i mirë sezonal i klubit në tërësinë e saj dhe së bashku me fatin në fund mund të arrish në rezultate pozitive. Mund të jap shembuj të klubeve të vogla e me buxhete të vogla, por që organizohen mirë si klube që s’kanë as politikanë e as ministër finance pranë. Ka klube të vogla, si klubi i Laçit, një klub me financa modeste, me një infrastrukturë të ndërtuar me financa të Bashkisë e FSHF. Dhe ky klub me këto financa modeste, organizohet mirë e bën futboll. Ka klube të tjera që kanë buxhete shumë e më shumë, por janë menaxhuar keq dhe nuk bëjnë rezultate. Ndërtohet një ekip periferik, ka investime dhe bën rezultate të mira.

Zoti president. Ju vetë nuk i keni shpëtuar dot, as akuzave për përfshirje qoftë edhe përfshirjes vetë në politikë. Jeni akuzuar që edhe në aktivitete të FSHF-së ka pasur prani të PAA-së të vëllait…

Individualisht nuk më ka pëlqyer ndonjëherë të merrem me politikë dhe nuk do të merrem ndonjëherë me politikë. Në të njëjtën kohë jam qytetar dhe votues i këtij vendi. Unë as kam qenë dhe as do jem pjesë e organizatave politike, apo edhe e interesave politike. Patjetër që mbështes iniciativat e njerëzve të mi dhe do të ishte hipokrizi nëse do të thoja të kundërtën.

Zoti President! Në mars janë zgjedhjet e radhës në futbollin shqiptar. A do të merrni pjesë?

Sipas statutit të FSHF-së në gjashtëmujorin e parë të çdo viti duhet të zhvillohet Asambleja e zakonshme dhe një herë në katër vjet Asambleja Zgjedhore. Kjo gjë do të ndodhë edhe në vitin e ardhshëm, ku në 6 muajt e parë do të zhvillohet Asambleja, dhe nuk është vendosur ende se kur do të zhvillohet. Nuk është një gjë që nuk e kam menduar, nuk është një gjë që është kaq pak e rëndësishme, por, gjithsesi duke u marrë me punën dhe problematikën e përditshme dhe me vazhdimin e projekteve gjithmonë duket datë e largët. Kështu që nuk e kam menduar dhe duhet të jap një përgjigje definitive sonte. Dhe do ta jap këtë përgjigje kur të jenë afatet dhe limitet statutore të FSHF-së. Ndërkaq, do të vazhdoj të punoj në FSHF me të njëjtin impenjim, pasi kemi shumë projekte të rëndësishme në dorë, dhe jo vetëm projekte infrastrukturore. Përveç stadiumit në ndërtim, kemi edhe projektin e zyrave të reja të FSHF-së në ish-kompleksin Dinamo, dhe ndërtimin e një mini-stadiumi atje, por ka edhe projekte të tjera të rëndësishme të futbollit të fëmijëve. Kemi nisur një projekt të futbollit në shkolla, për të cilin do të realizojmë një marrëveshje me MAS. Një projekt-pilot nga UEFA për Shqipërinë që nëse shkon mirë më pas do të përfshihet në të gjithë Europën. Pra, jam aktualisht i përfshirë në jo pak projekte, dhe do marr vendimin e duhur në kohën e duhur.

Meqë përmendet “Arenën Kombëtare”, kujt ia atribuoni dështimin për mos arritjen e marrjes së të drejtës së organizimit të Superkupës Europiane?

Jo. Ishin 9 stadiume në garë. Te vetmit ne ishim në garë me një projekt të papërfunduar. Dhe kjo na penalizoi. Dhe nuk është se nuk e dinim apo nuk ishim koshientë për këtë, por më shumë e bëmë le të themi për të pasur atë gurin në radhë për edicionet e tjera.

Zoti Duka, keni 15 vjet në krye të drejtimit të futbollit shqiptar. Nëse mendoni pjesërisht që mund të kandidoni sërish, dikush mund të pyes çfarë mund ti jepni më atij (futbollit)?

Thashë që do vazhdoj të mendoj e të punoj për projektet që kemi në vazhdim dhe për projekte të tjera. Nëse do shoh dikë tjetër që ka projekte më të mira pse jo që duhet ta lë rrugën e lirë, por nuk po shoh që ka projekte më të mira…

Deri tani ka vetëm një emër, ai i ish-kryeministrit Bashkim Fino si një kandidat i mundshëm për garën për President të FSHF-së. Njihet si një dashamirës i sportit dhe futbollit. Të kesh përballë një ish-kryeministër dhe që vjen nga një krah i caktuar politik, nuk ju shqetëson që kjo mund të kthehet nga një garë politike jo në një garë projektesh?

Aq sa thatë ju kam dëgjuar edhe unë për Bashkimin që mund të jetë, gjithmonë referuar lançimit mediatik. Nuk kam dëgjuar ende një prononcim të tillë. Unë e njoh, ka, një marrëdhënie personale me Bashkimin, e kam pas edhe shokë shkolle. E respektoj si njeri dhe vërtetë nëse do të ketë projekte për të qenë këtu, atëherë pse jo. Fakti që është pjesë e një partie politike është një gjë që duhet ta gjykojë ai vetë dhe Partia e tij. Nëse Partia do ta kandidojë, mirë është ta kandidojë nga Selia e Partisë.

Çfarë do të thotë kjo?

Që të jetë kandidati i zyrtarizuar i Partisë Socialiste. Ne kemi pasur deputetë në Shqipëri që kanë deklaruar nga foltorja e parlamentit që arbitrin e godita unë. Nuk besoj se PS do të angazhohet në një fushatë sportive, pavarësisht se mund të ketë ndonjë nga radhët e saj si kandidat. Përpara se të marr një vendim të tillë duhet apo nuk duhet të kandidoj, duhet të marr mendimin e tyre, nëse duhet të vazhdosh apo jo më tej. Unë do ta bëj këtë proces diskutimi me anëtarët, dhe ata do të vendosin.

Ka një çarje midis klubeve në Superiore, kritikë ndaj Federatës dhe ndaj jush. Dhe pikërisht kjo kandidaturë e zotit Fino (as e pohuar dhe as e mohuar), vjen pikërisht nga klubet kritizer?

Kritikë në klubet për çështje sportive ka çdo javë për arsye të gabimeve që mund të ndodhin në një javë. Pakënaqësitë pasojnë kritikat. Por, kur vjen momenti për të mbajtur një qëndrim total të situatës atëherë ke qëndrimin tënd. Unë mendoj që qëndrimet kritike permanente janë në minorancë dhe me qëllime të përcaktuara jo sportive. Sepse kanë interesa të tjera dhe nuk është se propozojnë ndonjë menaxhim ndryshe të institucionit, por kërkojnë që të kenë interesat e klubeve përkatëse.

Mos kjo vjen që afilacionet politike, dhe fakti që ju jeni një biznesmen i suksesshëm jashtë sportit ju bëjnë më lehtësisht të sulmueshëm në këtë rast?

Nuk besoj se ka të bëjë me personin se kush drejton. Ka të bëjë më shumë me faktin me postin. Nuk ka lidhje me emrin konkret por ka lidhje me postin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *