“Në vend të Italisë, Shqipëria do ta kishte eliminuar Suedinë”

Presidenti i FSHF-së: Nuk na kanë penalizuar vetëm pikët e ndeshjeve me Italinë, por edhe humbja me Izraelin në fushën tonë

Kombëtarja, De Biazi, Panuçi, projekti i FSHF-së, kandidimi në UEFA, buxhetet e klubeve, meritokracia, politika dhe futbolli, por sidomos edhe gara për presidencën dhe zgjedhjet në vijim, pa harruar sulmet e vazhdueshme. Armand Duka, kreu i futbollit shqiptar, përballë Sokol Ballës, ka rrëfyer gjithçka, nga pritshmëria te idetë, pa harruar faktet konkrete dhe ndjesia e tij. Presidenti i Federatës, i intervistuar nga gazetari Sokol Balla, për “Top-Story”, në “Top Channel”, nuk është “kursyer”.

E nisim pak nga sezoni nga kombëtarja që sapo mbylli sezonin. A ka një ndryshim të ekipit shqiptar vnga ndeshjet eleminatore të Panuçit në këtë të fundit në miqësoren me Turqinë?

Nëse do të kthehemi dhe do të bëjmë një pasqyrë të të gjithë ndeshjeve eliminatore të Botërorit, mund të them që ka një grup ndeshjesh dhe ka pasur një periudhë që ka shfaqur gjithçka. Mund të jemi deri diku të kënaqur më objektivin, me rezultatin me vendin e tretë, por nuk do të thotë që kemi bërë gjithçka mirë. Kemi pasur oshilacionet tona, kemi pasur një lloj vetëkënaqësie pas ndeshjeve të Europianit, e cila është reflektuar edhe në skuadër, dhe ndofta kjo vetëkënaqësi nuk është penalizuar se mund të ndodhë që mund të ishim penalizuar më shumë.

Pra kemi qenë edhe me fat, pasi mund të ishim ndëshkuar edhe më tej thoni ju…?

Besoj se kemi mundësi shumë më shumë se sa kemi dhënë në takimet e para kundër Maqedonisë, apo Lihtenshteinit, ku pavarësisht se morëm rezultat pozitiv na ndihmoi fati. Pra, kaluam një periudhë shoku, periudhë e cila mori një kthesë pozitive në Izrael. Pasi bëmë një paraqitje jo të mirë ndaj Izraelit në fushën tonë 0-3, dhe kthesën e bëmë pikërisht në Izrael 0-3. Dhe pastaj në ndeshjet e fundit, pasi kishim dalë nga mundësia për të pasur një kualifikim në Botëror, atëherë menduam të nisim menjëherë punën për më gjatë, me një trajner e staf të ri, për të parë drejt Euro 2020. Kjo edhe me konsensusin e ish-trajnerit tonë De Biazi, që sikundër të gjithë e dimë ka një kontribut të madh në këtë skuadër. Konsensus, sepse u vendos që në fund të eliminatoreve ish-trajneri De Biazi do të largohej dhe u mendua më mirë që në ndeshjet e mbetura, ti jepej mundësi stafit të punojë për të njohur më mirë skuadrën dhe të ishte gati për eliminatoret e Euro 2020.

Ndoshta është momenti për të thënë gjëra që nuk janë prekur më parë në raportin tuaj me De Biazin. Të paktën edhe vetë sa kohë e kam ndjekur kombëtaren, vihej re një tension mes jush dhe trajnerit në ndeshjet e fundit…

Jo tension jo. Aspak. Natyrisht në një marrëdhënie pune ka mendime ndryshe dhe le të themi edhe debate. Por, unë kam një respekt të jashtëzakonshëm për De Biazin, për punën e tij, për mënyrën se si ka punuar, për kontributin e tij, për ndihmën që i ka dhënë ekipit në atë sukses historik të kombëtares shqiptare. Besoj se e njëjta gjë është edhe nga pala tjetër. Ne vazhdojmë te kemi komunikim të vazhdueshëm. Madje, edhe përpara se të firmoste marrëveshjen me klubin spanjoll, ai më ka marrë një mendim. Komunikimi vijon, teksa edhe gjatë ndeshjes me Turqinë kemi shkëmbyer sms (whats-upp) për opinionet e ndeshjes dhe ecurinë e saj atë ditë.

Dhe cili është opionin i tij për atë ndeshje dhe për trajnerin?

I pëlqeu shumë ndeshja. i ka pëlqyer loja në Turqi dhe mënyra se si luajtëm. Dua t’ju them që, që në momentin që vendosëm të merrnim Panuçin, De Biazi kishte një mendim shumë pozitiv dhe kishte konsideratën si një person me shumë energji që do ta çonte kombëtaren para.

Ju pyes sepse sepse sa kohë jeni ju President i FSHF-së, De Biazi ju bënte hije, ndërsa trajnerët e tjerë të ekipit kombëtar jepnin atë sensin e përkohshmërisë në ekip përballë presidentit Duka, ndërkohë me De Biazin kjo ndryshoi. Trajneri i kombëtares mori autoritetin që duhej të merrte…

Unë mendoj që të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare që kemi përzgjedhur e kanë pasur autoritetin e tyre absolut, kanë punuar të pavarur në kushte optimale që mund ti duhen një trajneri. Dhe nuk mendoj se e kanë parë në këtë këndvështrim, madje, as vetë De Biazi nuk e ka parë në këtë këndvështrim. Pavarësisht momenteve apo debateve e dëshirave mediatike për të future ndonjë lloj dualiteti në këtë pikë. Pra, ky lloj raporti institucional mes FSHF-së dhe trajnerit të ekipit kombëtar me emër De Biazi, apo kushdo qoftë tjetër ka qenë shumë korrekt dhe gjithë kohës, pavarësisht se dikush ka pasur më shumë sukses, e dikush më pas, jo thjesht nga fati, por edhe nga puna e tij, por De Biazi ka pasur shumë sukses në drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit, dhe do të lërë një shenjë të gjatë në këtë pikë.

…por edhe fat ama?

Shiko, fati duhet gjithmonë. Pa pasur sado pak fat asgjë nuk bëhet. Mund të quaj pak fat ndeshjen e ndërprerë me Maqedoninë. Por, për kualifikueset e 2016-tës, ekipi e ka merituar kualifikimin në fushë dhe aspak në tavolinë. i duhesh një pikë në Danimarkë dhe e mori, i duheshin 3 pikë në Armeni dhe i mori. Kështu që arriti atë e dimë tashmë të gjithë, si një ekip solid dhe që e pasqyroi këtë performancë edhe në Francë në fazën finale si një ekip dinjitoz. Kurse pjesa e eliminatoreve të Botërorit patjetër që do të kalonte në një cikël vetëkënaqësie. Edhe pse kjo kurba e vetëkënaqësisë, mund të them se tek ne nuk është se ka zgjatur shumë. Kur tamam po shkonte thika në kockë në Izrael ekipi diti të reagojë.

Megjithatë shumë pikë që mund të ishim në një situatë që mund të ishim ne dhe jo Italia përballë Suedisë.

Ne do ta kishim eliminuar Suedinë dhe do të ishim ne në Rusi. Nëse do të shkonim në playoff. Ne ndofta e kemi vuajtur në një lloj mënyre peshën e fanellës të kundërshtarit tonë Italian në grup, pasi nëse nuk do e kishim vuajtur këtë gjë do të kishim pikë më shumë në grup. Por, gjithsesi nuk na kanë penalizuar vetëm pikët e ndeshjeve me Italinë, por edhe humbja me Izraelin në fushën tonë.

Kush ka një përgjegjësi për humbjen në fushën tonë me Izraelin? Lojtarëve, sentimenteve që u krijuan në fushë, apo mënyrës së organizimit të ndeshjes, dhe vetë federatës që ngjalli një lloj nervozizmi…

Shiko, jo sepse unë jam presidenti i federatës, por përjashtohet 100% FSHF nga ndryshimi i vendit të ndeshjes dhe e gjithë ajo që ndodhi. Ishte një ndryshim i kërkuar dhe i kondicionuar deri në atë pikë që na thanë ose të luanim në Elbasan, ose jashtë vendit. Dhe për ne ishte gjëja më e mirë të luanim në Elbasan dhe jo jashtë Shqipërie. Gjithsesi nuk mund të thuash që një rezultat negative, apo pozitiv erdhi vetëm nga kjo, por janë një sër faktorësh që bëhen bashkë. U përgatit keq ndeshja dhe përfundoi keq. Për atmosferën e stadiumin, për mënyrën se si ndofta u impenjua ekipi, për të gjithë këto që thatë ju, po kështu edhe gjyqtari me aq sa mundi dha kontributin e tij dhe kështu gjithçka shkoi keq e më keq.

Zoti President ju pyeta për De Biazin sepse kur ai u largua u krijua te njerëzit e njëjta ndiejnë, njësoj si në atë kohë kur vdiq Enver Hoxha dhe këtu më lejo sarkazmin e përdorur. Kur iku De Biazi, thanë që tani erdhi fundi. Me katër ndeshjet e fundit zyrtare dhe miqësoren, mendoni se kemi fituar një trajner të ri për ekipin kombëtar, si Panuçi?

Unë mendoj se mbi të gjitha kemi një institucion solid siç është ekipi kombëtar, që pavarësisht ndryshimit të emrave në pankinë është një ekip që besojmë dhe na jep shpresë dhe me të cilin mund të shkojmë më larg se sa kemi shkuar deri tani. Me këtë skuadër nuk shkojmë përballë asnjë kundërshtari si inferiorë tanimë, me përjashtimin e Spanjës që më duket si një planet tjetër. Por me të gjithë ekipet e tjera shkojmë aspak inferiorë. Nëse do krahasojmë statistikat e ndeshjes të Spanjës me Italinë e Shqipërinë ndryshojnë, pasi Italia goditi një herë ndërsa ne 14 herë e goditëm dy shtylla. Pavarësisht se Spanja – e përsëris – më është dukur si një planet tjetër…

Sa larg mund të shkojë kjo kombëtare zoti Duka? Kjo duke pasur parasysh edhe formatin e Ligës së Kombeve? Nga pikëpamja e probabilitetit mundësitë na janë shtuar, por në afatgjatë çfarë do të bëjë federata që këto propabilitete të kthehen në mundësi reale për një kualifikim tjetër në një fazë finale?

Rëndësi ka në radhë të parë që ne tashmë hyjmë në çdo garë me objektivin e kualifikimit, dhe jo si vite më parë për një vend dinjitoz, apo për një humbje dinjitoze. Pra, jemi tashmë në këtë nivel. Dhe kjo skuadër kombëtare i ka mundësitë reale për të shkuar në një nga kompeticionet e rëndësishme siç është europiani. Dhe për të arritur këto objektiva ne vendosëm dhe morëm këtë trajner, pasi për të kaluar atë kurbën e vetëkënaqësisë që folëm, ekipi kishte nevojë për një figurë autoritare i cilit do ti imponohesh dhe do ta ulte skuadrën me këmbë në tokë. Dhe Panuçi është një emër i botës së futbollit i ciki ka arritur gjithçka dhe një autoritet me të cilin e ke të vështirë ta kundërshtosh me vepra sepse me fjalë mund ta kesh këtë mundësi. Panuçi ka një staturë të madhe futbollistike, ka energji shumë dhe ka çfarë jep dhe i përçon skuadrës për të çuar akoma më tej dhe për ti thënë që nuk është ky stacioni i fundit i kësaj skuadre po akoma më tej, pasi nuk duhet të vetëkënaqemi vetëm me 2016-tën, por kemi mundësitë për më shumë. Kjo është edhe motoja e tij.

Po shikoja Kosovën me Letoninë dhe mbeta të diferenca e Rashicës me lojtarët e tjerë. Mendoni se ishte gabim lënia jashtë e Rashicës nga kombëtarja jonë dhe mos insistimi i Federatës për ta pasur në ekip?

Jo vetëm Rashica, por edhe lojtarë të tjerë me kualitetet çdo skuadër do kishte dëshirë ti kishte në gjirin e saj dhe ne mendojmë se kemi bërë maksimumin. Ka qenë një vendim i futbollistit për të kaluar me kombëtaren e Kosovës.

…jo nuk ka qenë vendim i futbollistit, por vendim i De Biazit që e la jashtë për ngjarjen më të madhe, si Euro 2016-ta?

Fatkeqësisht numrat për të shkuar në Europian të një skuadre janë fiks. Nëse do të më pyesësh kë kam peng që nuk shkoi në atë fazë finale europiani dhe në një lloj mënyre mund ti detyrohemi atij, ai është futbollisti Berat Gjimshiti, i cili që nga dita e parë që erdhi në kombëtare hyri në formacion, por nuk u përfshi për Europian. Ndoshta për formën e tij jot ë mirë të asaj kohe dhe De Biazi mendoi me pragmatizëm të merrte lojtarët më në formë të momentit. Ndërsa, Rashica nuk kishte luajtur asnjë ndeshje me ekipin kombëtar. Nuk është se ishte ndonjë mëkat të mos vinte në Europian. Ishte i ri dhe të ardhmen e kishte përpara. Ishte një vendim individual i tij.

A ka një plan afatgjatë FSHF dhe autoritetet drejtuese të futbollit shqiptar që kombëtarja jonë të jetë sërish në fazën finale të Euro 2020-tës?

Patjetër që po dhe jo vetëm për Europianin e vitit 2020, por edhe më tej. Ka një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë, për lojtarët që janë dhe për përgatitjen e skuadrës për të ardhmen. Për aktualen janë këta lojtarë dhe ata të ekipit kombëtar të U-21 që kurohen në mënyrë perfekte në shërbim të plotë të ekipit kombëtar. Ndërsa aspekti afatgjatë lidhet me projektet dhe prioritetet absolute të FSHF-së për futbollin e fëmijëve, në zbulimin e talenteve, dhe jo thjesht në të, por edhe në kultivimin e tyre. Së pari kemi ulur moshën e nisjes së futbollit. Nëse deri para pak viteve futbolli fillonte në moshën mbi 10 dhe 12 vjeç, sot kemi aktivitete me fëmijë që në moshën 6-vjeçare. Nën kurimin e plotë të FSHF-së kemi 6 ekipe kombëtare rajonale, prej të cilëve dalin elementët për ekipit përfaqësuese të moshave. Të njëjtin kurim edhe jashtë Shqipërisë. E ardhmja është e sigurt, për aq sa mund të arrijë Shqipëria, por në futboll do jemi në kushte shumë më të mira se sa e gjithë shoqëria.

Por, paralelisht edhe të ardhurat janë të mëdha. Sa para realisht ka sjellë kjo performancë e kombëtares në këto 4-5 vitet e fundit dhe a po shpenzohen këto para në fidanishtet e moshave?

Financat që xhirojnë rreth futbollit në Shqipëri janë modeste në krahasim me vendet e mëdha. Më këto financa e ekonomi modeste kërkon të arrish rezultate me vende që kanë financa shumë shumë më të mëdha. Por ne mundohemi në shtimin e këtyre të ardhurave. Nëse do pyesësh një futbollist të para viteve 90 të ka ndeshje ndërkombëtare 20-30 ndeshje, ndërsa një 19 vjeçar mund ti ketë kaluar 50 ndeshje aktualisht. Sot çdo futbollist i ekipeve kombëtare të moshave kanë një kurim special në grumbullim e jo vetëm. Ajo që duhet shtuar ndoshta është një lloj vështrimi ndryshe për sportin në përgjithësi, për një strategji ndryshe, për të detyruar dhe për ti dhënë incentive të ndryshme biznesit për të investuar në sport. Ndryshimi i sjelljes së politikës në përgjithësi me sportin dhe vënies në prioritet do të prodhonte efikasitet. Politika është ajo që duhet të prodhojë mekanizma që vendi të zhvillohet, por edhe ligje e paketa të atilla edhe për sportin.

Çfarë sugjeroni ju?

Në vitet e fundit kemi një lloj ndryshimi të investimeve në infrastrukturën sportive, përmend këtu stadiumin e Elbasanit, atë të Shkodrës, apo fillimi i stadiumit kombëtar, por nuk mjafton kjo. Duhet së pari duhet të ketë një dikaster të dedikuar për sportin, një ministri, një drejtori a një Komitet, për të mbledhur të gjithë palët, për të prodhuar ndryshime të tilla ligjore për të afruar së më shumë financa në sport. Nuk ekzistojnë aktualisht lehtësirat fiskale në sport. Nuk kanë lehtësi të tilla fiskale. Në fakt, të gjithë e kanë pritur një ministri për sportin, por të kishte një agjenci, a një komitet më vete me buxhetin, administratën e pavarësinë e vet. Kjo do ishte shumë efikase.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online