Tirana ka zbarkuar në Gjeorgji për ndeshjen e kthimit me Dinamo Batumin. Lojtarët dhe stafi janë gati për të zhvilluar edhe aktin e fundit të turit të parë në Conference League pas atij barazimi 1-1 në Air Albania.
Ndërkohë një incident i vogël ka ndodhur pas zbritjes së Tiranës në Gjeorgji. Për rreth 30 minuta, Florent Hasani është bllokuar në aeroport. Kjo pasi shteti i Gjeorgjisë nuk e njeh Kosovën. Pas ndërhyrjes të gjithë klubit të Tiranës, u vendos që Hasani të lejohej që t’i bashkohej shokëve të ekipit. Autoritetet bën maksimumin që gjithçka të mbyllej sa më shpejt.
E teksa është pyetur nga ana e gazetarit Drilon Xhepollari sesi ndikon te ai një situatë e tillë para ndeshjes së nesërme, Hasani u shpreh: “Nuk dua ta përziej politikën, ishte një vonesë 30 minuta dhe më jep motiv që nesër të shënoj gol”, tha Hasani. /Sport Ekspres/