Nuk mbaron me Vujoviç, Takaj: Prisni edhe 2-3 blerje!  

Menaxheri i korçarëve flet me superlativa për skuadrën e re. Nga Sllovenia thotë se do të ketë surpriza të tjera në merkato

Skënderbeu mbetet aktiv në merkato. Kanë ardhur 3 lojtarë, por, sipas drejtuesve korçarë, sapo ka nisur merkatoja. Pritet nga momenti në moment një tjetër goditje, ajo që te Skënderbeu e kanë trumbetuar si supergoditja e verës. Bëhet fjalë për një sulmues, që do të ketë kosto të lartë financiare, por detaje të tjera nuk ka. Nga burime pranë klubit mësohet se rroga e këtij lojtari, që do të zyrtarizohet së shpejti, do të shkojë deri në 15 mijë euro në muaj. Është shumë e vështirë ta zbulosh emrin e këtij futbollisti, pasi drejtuesit janë duke punuar në fshehtësi të plotë. Në klubin korçar garantojnë se kjo goditje do të bëhet shumë shpejt. Flitet se trajneri Ilir Daja ka pëlqyer një sulmues të huaj shtatlartë, që do të jetë në majë të sulmit, pasi Skënderbeu ka vuajtur prej kohësh për një “pykë”. Me ardhjen e tij, nuk do të nxitohet më në merkato, pasi korçarët do të kenë kohën e duhur të punojnë në qetësi.

 

Merkaton e kësaj vere te Skënderbeu e ka marrë në dorë menaxheri i përgjithshëm, Gerhard Takaj, duke “sfiduar” babanë e tij, Ardjanin. Që ditën e grumbullimit ndodhet pranë ekipit, siç po bën edhe tani në Slloveni, ku po përpiqet të plotësojë çdo kërkesë të trajnerit Daja. Sipas menaxherit Takaj, ditët në vazhdim priten 2-3 goditje të tjera, kryesisht në sulm, ku skuadra ka më shumë nevojë. Ai premton se këtë verë, nëse Skënderbeu do të ketë pak fat, do të shkojë në grupet e Europa League. Ja intervista e G.Takaj nga Sllovenia:

– Gerhard sapo keni zyrtarizuar blerjen e tretë. Sa i kënaqur jeni me ardhjen e Goran Vujoviçit?

– Kishte kohë, që e kishim piketuar këtë futbollist. Ishim duke menduar ta afronim patjetër në ekip, pasi edhe trajneri Ilir Daja e pëlqente. E mbyllëm çdo gjë me sukses dhe e rëndësishme është që ai tashmë është pjesë e skuadrës. Kishim nevojë emergjente për të afruar sulmues. Mendoj se është një lojtar, që do të na bëjë shumë punë, por ne po mendojmë edhe për afrime të tjera.

– Çfarë afrimesh të tjera?

– Në vijën e parë të sulmit kemi ende nevojë, pasi na duhet së pari një lojtar “pykë”, që nuk e kemi. Edhe këtë lojtar shumë shpejt do ta shikoni te Skënderbeu, sepse çdo gjë është në rrugën e duhur. Thuajse e kemi arritur akordin.

– Cili është ky lojtar konkretisht, mund të na e thoni?

– Ju thashë se do të jetë sulmues, më shumë nuk mund të deklaroj në këtë moment. Prej shumë kohësh punojmë si një klub europian, ku askush nuk mund të zbulojë emra pa pasur një marrëveshje. Bëhet fjalë për lojtarë të klasit të lartë. Është sulmues dhe kaq mjafton. Për të tjerat do të flasim pas pak ditësh.

– Dhe sa blerje të tjera do të bëjë Skënderbeu?

– Di të them se para Europës, pra para 29 qershorit, kemi në plan të afrojmë edhe 2-3 lojtarë. Pastaj, nëse do të na duhet ndonjë tjetër, do ta afrojmë. Këtë e bëjmë, pasi kemi pretendime të mëdha në Europë, për të shkuar deri në fazën me grupe.

– Meqenëse folëm për Europën. Më 19 qershor do të jeni prezent në hedhjen e shortit, çfarë preferencash keni?

– Do të jem në hedhjen e shortit, si çdo verë, por nuk mund të them cilën skuadër dëshiroj. Për mua, asnjë tur nuk do të jetë i lehtë. Nëse ne nuk do të jemi në 100%, çdo ekip do të na hapë probleme, qoftë edhe i fundit në renditje në vazon e dytë. Në Europë të gjithë ekipet japin maksimumin dhe, kur e mendon të lehtë kundërshtarin, mund të gabosh. Shpresoj shumë të jetë një short i favorshëm. Na duhet pak fat, pasi duhet të kalojmë shumë ture për të shkuar deri te grupet.

– Si po ecin përgatitjet në Slloveni?

– Shumë mirë. Stafi teknik po punon shumë, që lojtarët të arrijnë sa më shpejt formën e tyre më të mirë dhe deri në fund të muajit do të jemi gati.

– Me ekipi po stërviten edhe një boshnjak dhe një kosovar. Janë lojtarë të së ardhmes?

– Te Skënderbeu gjithmonë ka pasur prurje të reja. Nuk mund t’i them emrat, pasi janë në provë dhe fjalën e fundit do ta thotë trajneri Daja. Dua të shtoj vetëm se janë jo vetëm për të ardhmen. Nëse e meritojnë, do të luajnë që tani.

– Mund të na e thoni emrin e sulmuesit tjetër?

– Edhe pak durim, pasi është punë orësh. Të jeni të bindur se këtë verë do të bëjmë një Skënderbe super. Të tjerat, sekret…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *