Klubi i Skënderbeut ka njoftuar përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook” se Stjepan Balog, komentatori i HRT, ka kërkuar ndjesë mbi atë që ka thënë para ndeshjes me Skënderbeun.
“Ka ikur koha kur i njihnim shqiptarët për shitës akulloresh dhe ëmbëlsirash, duhet kujdes sonte”, tha Balog, ndërkohë që tanimë vjen ndjesa.
“Komentatori i HRT, televizioni kombëtar kroat, Z. Stjepan Balog, ka dërguar një email në adresën e klubit ku ka kërkuar falje për shprehjen e tij në koment. Balog i kërkon falje klubit dhe gjithë shqiptarëve të prekur nga fjala e tij, por sipas Balog asnjë moment nuk ka dashur të ofendojë popullin tonë e më tepër të ndikojë në marrëdhënien e mirë mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
‘Kam marrë shumë mesazhe nga shqiptarë të cilët janë të nevrikosur nga komenti im në ndeshjen Dinamo Zagreb-Skënderbeu. Nuk i kam shprehur ato fjalë në kontekstin e parë dhe nuk kam dashur të ofendoj popullin Shqiptar. U kërkoj falje të gjithëve dhe nuk dëshiroj që fraza e gabuar të ndikojë në miqësinë e mirë mes dy popujve. Unë e di shumë mirë që shumë shqiptarë kanë luftuar për lirinë e Kroacisë. Ju lutem ta shpërndani mesazhin tim dhe faljen time në gjithë median shqiptare. Ju falënderoj për mirëkuptimin”, shkruhet në postimin e klubit të Skënderbeut.