Milani “rrëmben” Kaliniçin, arrihet akordi për 25 mln euro

0

Mungon zyrtarizimi, por klubi vjollcë i jep zyrtarisht numrin 9 Xhovani Simeones

Telenovela për të çuar Nikola Kaliniçin te Milani është shumë pranë fundit pozitiv. Kuqezinjtë janë rikthyer te tratativa me Fiorentinën dje në drekë dhe kontaktet kanë qenë thuajse, në 90% me një përfundim pozitiv. Ajo që mungon tashmë është thjesht shumë pak, si disa modalitete pagese dhe rroga përsa i përket huazimit të këtij viti. Por, akordi kryesor është arritur dje pasdite, me Fiorentinën që ka pranuar formulën e huazimit me detyrim blerjeje për 25 mln euro nga ana e kuqezinjve.

ÇERTIFIKATA – Ndërkohë, pas zhurmës së madhe për mungesën e tij në stërvitjen e së enjtes, dje lojtari ka paraqitur pranë klubit të Fiorentinës një çertifikatë mjekësore, sipas së cilës, ai nuk mund të jetë në stërvitje për arsye emotive dhe personale. Vetë lojtari ndodhet në Kroaci, në pritje të lajmit të mirë për të udhëtuar drejt Milanos ku do të kryejë edhe vizitat mjekësore.

SHIFRAT – Pas një vere të kaluar me “fishekzjarre” në merkato, Milani po i dorëzon Montelës edhe goditjen e fundit. Bomberin kroat. Ndërmjet shumë emrave të qarkulluar, ai i Nikola Kaliniçit duket se ishte edhe më i mundshmi për t’u blerë. Madje kuqezinjtë e kishin gjetur akordin me lojtarin, teksa dje kanë arritur ta gjejnë edhe me Fiorentinën, mbi bazën e 25 mln euro detyrim blerjeje pas huazimit njëvjeçar. Gjithçka do të bëhet zyrtare brenda 24 orëve.

NUMRI – Dhe, si për të konfirmuar këtë tratativë, në dyqanet zyrtare të Fiorentinës fanella me numrin 9, që është veshur nga Kaliniç në sezonet e fundit, i është dhënë edhe të sapoardhurit, Xhovani Simeone. E gjitha kjo, pavarësisht se ende në rrugë zyrtare tratativa mes Fiores dhe Milanit nuk ka përfunduar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.