“Nuk kam pikë frike tani“, Memelli i kënaqur me skuadrën: I kemi bërë nder vetes dhe kampionatit

Janë mbyllur edhe dy ndeshjet e orës 19:00 të vlefshme për javën e 32-të të Kategorisë Superiore. Teuta ka fituar lehtësisht ndaj Bylisit në “Niko Dovana“ dhe rrëmbejnë përsëri kreun e renditjes. Skuadra e Martinit gjeti 4 herë rrugën e rrjetës, si rrallë herë në këtë sezon. Ndërsa në krahun tjetër Skënderbeu vazhdon të surprizojë nën drejtimin e Migen Memellit. Bardhekuqtë kanë ndalur në barazim 1-1 Partizanin dhe shkojnë vetëm një pikë larg Kastriotit për të siguruar mbijetesën sezonin e ardhshëm. Në përfundim të takimeve protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas goli” në “Supersport”.

Memelli (Skënderbeu): “Komplimenta të jashtëzakonshme lojtarëve, sepse kanë arritur të bëjnë një ndeshje të madhe sot për nga performanca. Është një pikë që vlen sidomos kur vjen kundër ekipit që lufton për titull. E kur i merr pikë një ekipi si Partizani, tani mbijetesa është më afër se kurrë. Nuk kam pikë frike në këtë moment. Ajo që më solli te Skënderbeu ishin lojtarët, cilësitë e tyre. E vetma gjë që kemi arritur bashkarisht është që kemi bërë që skuadra të funksionojë si një trup i vetëm. Një pikë kundër Partizanit vlen. I kemi bërë nder vetes, i kemi bërë nder edhe kampionatit, sepse shkëputja mund të sjelli ndonjë budallallik me ndeshjet. Dy janë skuadrat te të cilat unë kam pasur vështirësi si trajner dhe që kanë potencë të një skuadre që mund të fitojnë titullin, Tirana dhe Partizani“.

Dovedan (Bylisi): “Është normale që kam frikë për rënien nga kategoria. Disa që po luajnë atje nuk e kuptojnë këtë gjë. Këta kemi. Nuk mund të shënojnë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Ndeshjen e kemi humbur që në minutën e 45. Nuk shënuam dot atje dhe golin e dytë e pësuam si cirk.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *