Nga Klaudio Ndreca
Kukësi do të ketë një kundërshtar të vështirë në Europë teksa do të gjejë përballë Slavia Sofien. Aspak i lehtë për verilindorët ky short, ndërsa në Bullgari është edhe më e çuditshme situata. Atje “fërkohen duart” duke i’u gëzuar goglave, por pastaj kujtohen se nuk kanë asnjë informacion të vetëm se kundër kujt do të përballen. Menjëherë pas shortit, trajneri i Slavias së Sofies ka treguar me sinqeritet që nuk kishte dëgjuar më parë për Kukësin. Por në Bullgari e dinë me siguri se evituan një ekip si Malmo, që në letër do i hapte më tepër telashe.
Nga ana tjetër, presidenti i Slavias së Sofias nuk ka më tepër informacione konkrete, por di ta mbajë me këmbë në tokë skuadrën: “Pres një ndeshje shumë të fortë. Nuk ka shqiptarë të lehtë. Vetë fakti që ata kanë mbërritur në Europa League tregon se i kanë disa merita sportive”.
Ndërkohë kur pyetet nga ana e gazetarit sesi do të veprojë tani, kur Kukësi nuk është një skuadër e njohur dhe e famshme si Malmo, rivali i mundshëm në short i Slavias, presidenti Ventsi Stefanov tregon një histori domethënëse me kuptimin e qartë se po merrë informacione nga Shqipëria, por nuk duhet të zbulohet më tepër. Një sinjal alarmi për verilindorët që mund të dalin shumë herë më të zbuluar nga çfarë e kishin parashikuar në ndeshjen direkte.
“Ka njerëz te Slavia që janë specialista futbolli dhe ata duhet të nisin të gjejnë informacione. Puna ime në skuadër është tjetër, nëse unë bëhem spiun… Kjo më kujton mua një histori me spiunin Garabed. Ai dhe Kirkor ishin dy spiunë. Ata e dërguan Garabedin me një mision në Amerikë dhe i thanë: “Shko atje, do të jetosh në këtë adresë, ne do të vijmë që të kërkojmë dhe të gjejmë në kohën e duhur”. Pas 15 vitesh, Kirkor niset për të mbërritur në të njëjtin vend dhe harron adresën e saktë. Menjëherë ai pyet diku përpara ndërtesës: “A jeton Garabed këtu?”. Ata u përgjigjën: “Ah, spiuni Garabed? Po hyrja e tretë, kati i tetë”. Kështu u dekonspirua edhe Garabed. Tani le të kthehemi te ndeshja, nuk do të jetë e lehtë, por shumë e vështirë”, u shpreh Stefanov. /Sport Ekspres/