“Nuk ka justifikime, të ulim kokën dhe të punojmë”/ Hallaçi flet për Kukësin: Jemi në krizë

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar java e 13 e Superiores atje ku janë prodhuar rezultate shumë interesante. Laçi kishte një sfidë direkte me Kukësin, mes dy ekipeve që pretendojnë titullin kampion. Kurbinasit fituan në shifrat 3-2 dhe autori i golit të parë ishte Musta. Ish-lojtari i verilindorëve ndali topin në rrjetë me të majtën e fuqishme, ndërsa menjëherë tregoi edhe fanellën e tij për t’i kujtuar Kukësit gabimin që bëri me largimin e tij. Për të vazhduar në fundin e pjesës së parë me golin fantastik të Harmon, që ndali sferën në rrjetë me parabël.

Xhixha do të mbyllte historinë e takimit me golin e tretë. Interesant është fakti se të treja realizimet kanë ardhur pas pasimeve që ka dhuruar Lushkja, që në këtë mënyrë paketoi edhe humbjen e Kukësit. Verilindorët shkurtuan diferencën falë golit të Ibrahimit nga pika e bardhë, ndërsa goli i Eze sërish nga 11-metrat në minutat e fundit i shërbeu vetëm statistikave.

Nga krahu tjetër Tirana nuk mori më shumë sesa barazimi pa gola ndaj Bylisit. Bardheblutë vazhdojnë që të humbin rrugën dhe qetësinë drejt rinkonfirmimit si kampion të Superiores. Danso do të ndëshkohej me dy kartonë të verdhë brenda pak minutash, për të dalë nga fusha e lojës dhe për t’ia bërë më të vështirë triumfin bardhebluve.

Në ndeshjen e tretë ishte Skënderbeu që përmbysi shifrat ndaj Kastriotit. Krutanët kaluan të parët në avantazh me Shkallën, por golat e Mensah dhe Vangjelit i japin tre pikë me shumë vlerë korçarëve. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Dede (Tirana): “Bylisi meriton komplimente për lojën e fortë sportive që ka bërë. Terreni ishte i vështirë dhe nëse nuk do të kishte fokusimin e duhur do të humbisnim. Rezultatet nuk na japin të drejtë, shifrat tregojnë barazimet tona, diçka nuk shkon. Në situatën që unë jam nuk mund të vendos objektiva. Por nuk e kam ndërtuar unë Tiranën, erdha për të rregulluar ekipin nga më parë. Kaq mund të them. Gjithsesi unë jam krenar me ekipin që kam dhe mënyrën sesi kemi luajtur. Na duhen lojtarë, eksperiencë dhe personalitet më shumë”.

Hallaçi (Kukësi): “Ne jemi në krizë dhe duhet t’i qëndrojmë skuadrës pranë në këtë moment të vështirë. Ne prodhojmë lojë dhe për këtë më vjen keq. Pësojmë gola që nuk duhet t’i marrim dhe nuk dua që të fajësojë dikë këtu. Të ulim kokën dhe të punojmë. Nuk ka më justifikime këtu pasi kemi vite që investojmë në skuadër. Në këto momente kushton shumë gabimi individual, i kisha thënë ekipit që duhet të rrimë të mbledhur mbrapa dhe të qëndrojmë në ekuilibër. Kjo është situate kritike, i kisha thënë ekipit që edhe me një barazim do të ishim të kënaqur sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online