Sefer Seferi nuk ia ka dalë të rikthehet fitimtar në ring në përballjen ndaj boksierit Firat Arslan. Në duelin e djeshëm boksieri nga Gostivari kërkoi të bënte të tijtë dy titujt e 48-vjeçarit Arslan në peshën “cruiserweight” (deri në 90.72 kg).
Boksieri turko-gjerman u tregua më i zoti në raundet e para të duelit, duke i kundërpërgjigjur me zgjuarsi sulmeve të shumta të Seferit. Me kalimin e raundeve shqiptari nga Gostivari ia doli të merrte epërsinë ndaj kundërshtarit nëntë vite më të madh në moshë.
Mbas mbarimit të 12 raundeve, kartat vlerësuese të gjyqtarëve bënë që të mos kishte asnjë fitues, duke e konsideruar duelin si një barazim me vendim maxhoritar, pasi dy prej tre gjyqtarëve e vlerësuan 114 – 114, ndërsa gjyqtari i tretë e vlerësoi 115 – 113 në favor të Arslan.