Nuk ka fitues në Laç, Partizani arrin kryesuesit

Laçi dhe Partizani janë ndarë në një barazim 0-0 në ndeshjen e javës së katërt të luajtur në stadiumin e Laçit. Bardhezinjtë dhe kryeqytetasit kanë ndarë nga një pikë në një ndeshje mjaft interesante dhe me raste për shënim, por pa asnjë gol.

Ndonëse minuta e para nuk sollën ndonjë rast të rrezikshëm, Xhixha mendoi për të “ndezur” sfidën me një goditje të befasishme, por ishte Hoxha që i mohoi golin. “Demat” u zgjuan më pas dhe nisën që të reagonin, por tentativat e Hebajt dhe Atandës ishin shumë pak për të gjetur golin. Pak sekonda para se të mbyllej pjesa e parë Xhixha përsëriti veten me një goditje të bukur, por sërish “gardiani” i Partizanit e ndali.

Në fraksionin e dytë skuadrat u treguan më të rezervuara, me miqtë që kishin më shumë iniciativë, megjithatë duhet  përmendur një tentativë e Jonuzit, i cili sapo ishte aktivizuar vuri në provë Alban Hoxhën, i cili sërish ishte në lartësinë e duhur.  Si gega ashtu dhe Mërgjyshi menduan që të hidhnin në fushë nga një debutues. Sukaj për Laçin dhe Çinari për Partizanin patën minuta e para në kampionat me skuadrat e tyre.

Në këtë mënyrë, Partizani arrin Kukësin, Flamurtarin dhe Skënderbeun me 7 pikë, ndërsa Laçi qëndron 1 pikë pas tyre në kuotën e 6 pikëve. Laçi do të ndeshet javën e ardhshme me skuadrën e Kastriotit në transfertë, ndërsa Partizani do të presë në shtëpi Flamurtarin.

 

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 4

E diel, më 16 shtator, ora 15:45

Stadiumi i Laçit, Laç

Laçi 0-0 Partizani

 

FORMACIONET

Laçi: Selmani, Fangaj, Mersinaj, Gjoni, Sefgjini, Eller, Najdenov, Lushkja, Shtubina (Sukaj 75′), Xhixha (Smaçi 87′), Altiparmakovski (Jonuzi 65′). Trajner: Artan Mërgjyshi.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi (Bitri 90+3’), Kalari, Mala, Telushi, Asani (Hila 79′), Bardhi, Hebaj (Çinari 69′). Trajner: Skënder Gega.

Kartonë të verdhë: Eler 58′, Lushkja 62′, Ibrahimi 74’/ Atanda 21′, Bardhi 60′, Hila 81′

Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Rejdi Avdo, Redvan Shaba, Olsi Sokoli

Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Ilirjan Kristo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *