“Nuk janë si më parë”! Motivimi i çuditshëm si në futboll lagjesh, diskutimi që duhet të ndryshojë mbi Laçi-Anderleht

Gjithmonë kur një ekip shqiptar apo nëse Kombëtarja jonë përballet me emrat më të mirë në qarkullim, në Shqipëri ka një mënyrë paksa të çuditshme motivimi. Shumë prej tifozëve që kërkojnë me dëshirë të madhe rezultatin pozitiv, por edhe analistë të ndryshëm në media, shtrojnë një tezë diskutimi që mbetet për t’u rivlerësuar: “I marrim ndonjë rezultat këtyre, se nuk janë siç kanë qenë më para”.

Kështu është thënë në dy përballjet e humbura mes Shqipërisë dhe Turqisë, kështu është thënë në përballjen e fundit mes Shqipërisë dhe Anglisë, kështu është thënë në ndeshjet e Europës të Tiranës me Zvezdën dhe Young Boys, kështu u tha për Partizanin me Bazelin, me rastet që janë të panumërta për t’u numëruar.

Pra asnjëherë duke vënë në pah rritjen e forcës tënde që mund të shtojë pikët karshi kundërshtarit, sado e pamundur mund të duket në pamje të parë. Por gjithmonë duke cilësuar se rivali nuk është si më parë. Ky lloj diskutimi kalon tani te Laçi-Anderleht. Megjithatë për nostagjikët duhet të kujtojmë se fundja askush nuk është si më parë.

Si më parë nuk janë as ekipe të nivelit Real Madrid, Barcelona, Milan, Inter, por kjo nuk do të thotë se fanella e tyre nuk ka peshë dhe mund të munden nga kushdo. Futbolli nis në letër dhe luhet në fushë. Në letër jepen fillimisht favoritët dhe gjithçka dëshmohet në fushën e lojës. Nuk ka qenë të pakta rastet kur ka pasur zhgënjim mes diferencës së treguar në parashikim dhe panoramës së ofruar në fushën e lojës, fundja Craiova e di më mirë se për çfarë jemi duke folur.

Por le të shohim pak se çfarë thotë letra për Laçi-Anderleht. Në bazë të vlerës së dhënë nga “Transfermarkt”, ekipi belg kushton 90 milionë euro, ndërsa ekipi i Laçit kap vlerën e përafërt me 4 milionë euro. Thuajse tre herë më shumë se kurbinasit vlen vetëm një futbollist 20-vjeçar te Anderlehti, Yari Verschaeren, që kushton 11 milionë euro.

Për më tepër që Anderlehti krahasuar me Bazelin që ishte rivali i Partizanit vlen sa dyfishi, pasi zviceranët kapin kuotën e 46 milionë eurove dhe diferencat u panë në fushën e lojës. Ndërkohë kampionati në Belgjikë ka filluar së fundmi dhe është vetëm java e dytë. Askush nuk ka një ide të qartë për “fytyrën” e Anderlehtit as në këtë vend për sezonin e ri, e jo më që të diskutojmë nga Shqipëria.

Kjo është vetëm sa për t’i dhënë fund diskutimit: “Nuk janë si kanë qenë”. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se Laçi ka zero shanse për mrekullinë me Anderlehtin, thjesht duhet gjetur një motivim tjetër. Fundja edhe Craiova që kushtonte 20 milionë euro u eliminua nga kurbinasit që kanë mbështetjen e gjithë Shqipërisë gjatë këtij rrugëtimi në Conference League. Shpeshherë në futboll fiton ai që e dëshiron më tepër suksesin. Padyshim që në këtë rast është Laçi që më tepër sesa Anderlehti e kërkon triumfin dhe në bazë të rritjes së kësaj skuadre mund të kemi surprizën e madhe. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online