Teuta është ekipi i vetëm i Superiores që ka mundësinë për të shkuar sa më larg në “Conference League”. Durrsakët do të përballen kundër Shamrock në ndeshjen e kthimit të turit të tretë teksa përballja e parë përfundoi në shifrat 1-0 për irlandezët. Në konferencën për shtyp ishte kapiteni i Teutës, Arapi, që theksoi forcën e kundërshtarit dhe mënyrën sesi është trajtuar në media.
“Shamrocku nuk është skuadër e dorës së dytë siç është përfolur para ndeshjes. Është skuadër e mirorganizuar dhe me lëvizje të automatizuara. Edhe ne kemi një skuadër cilësore dhe kompetitive, pjesa më e madhe e futbollistëve kanë eksperiencë në kupat e Europës. Do të bëjmë një ndeshje duke tentuar kualifikimin. Kërkohet qarkullim i shpejtë i topit dhe ndërrim krahu. Shpresojmë t’ia dalim, sepse për këtë gjë jemi përgatitur”, tha Arapi. /Sport Ekspres/