Agim Ibrahimi ka lënë gjurmë në këtë sezon me ekipin e Kukësit në Superiore, pavarësisht se verilindorët zhvilluan kampionatin më të dobët që nga ngjitja e tyre në elitë. Së fundmi ky futbollist ka treguar kontributin e dhënë për Maqedoninë e Veriut edhe jashtë fushës së blertë. Ibrahimi ka bindur lojtarin e Dinamos së Zagrebit, Arijan Ademin, që të linte fanellën e Kroacisë që përfaqësonte me moshat për t’iu bashkuar Maqedonisë së Veriut. Misioni ishte jo pak i vështirë pasi asokohe përfaqësuesja në fjalë nuk ishte as tek 100 ekipet më të mira në botë.
“Ishte e vështirë në fillim. Ne dëshironim që ai të ishte pjesë e ekipit kombëtar të Maqedonisë. Unë dhe babai im e bindëm të vinte, sepse e dinim se ai mund të na ndihmonte shumë. Tani e shohin të gjithë se kishim të drejtë. Nuk dëshironte, gjë që është normale, sepse ne ishim kombëtarja e 110-të në renditjen e FIFA-s, por hap pas hapi arritëm ta bindim. Ademi tani është një lojtar kryesor në ekipin kombëtar. Ne jemi shumë, shumë më të fortë dhe më të mirë me të”, tha Ibrahimi. /Sport Ekspres/