Serxho Porrini ka folur në emisionin “Radio Goal” në “Radio Kiss Kiss Napoli” për Kristjan Asllanin. Mesfushori 19-vjeçar është prurja më e re e Kombëtares shqiptare, i cili debutoi në miqësoret e muajit mars me fanellën kuqezi. Ndihmësi i Edi Rejas shprehet se nuk e çudit fakti se pas Asllanit janë vënë klube të mëdha, ndërsa shton se e kanë ndjekur prej kohësh përpara se ta grumbullonin me Kombëtaren.
“Asllani është një djalë me perspektivë të madhe dhe ne kemi pasur rastin ta shohim në Kombëtare, në stërvitje dhe në ndeshje miqësore. Të gjithë flasin mirë për të dhe ne e kemi ndjekur prej kohësh. Ai po luan vazhdimisht dhe po bën paraqitje të shkëlqyera, prandaj nuk më habit që ndiqet nga emra të mëdhenj. Asgjë nuk mund të injorojë të kesh lojtarë në ekip që janë mësuar të fitojnë, detajet më të vogla bëjnë diferencën”, është shprehur Serxho Porrini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/