“Nuk e kuptoj si mund të humbasim raste përballë portierit”, Longo i kënaqur me merkaton: Morëm dy lojtarë me peshë

0

Kukësi është mposhtur me shifrat 0-1 në “Elbasan Arena” në ndeshjen e parë për vitin 2022. Verilindorët kanë humbur falë një goli të shënuar në fund të takimit nga Eni Imami, i cili i dha në këtë mënyrë tre pikët Dinamos. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Longo ka folur për “Supersport”, ku shprehet se skuadra e tij ka bërë një ndeshje të mirë, por nuk arrin të kuptojë faktin se si lojtarët e Kukësit humbasin raste të pastra shënimi.

“Sipas opinionit tim, ishte një ndeshje e balancuar. Por kur nuk fiton me siguri që dicka ka shkuar keq. Bëmë një paraqitje të pranueshme, deri diku në pjesën e parë gabuam shumë. Gjithsesi nuk mund ta kuptoj sesi mund të humbasim raste të tilla të vetëm përballë portierit si ato që humbëm sot. Edhe pas golit të Dinamos, patëm mundësitë tona, por sërish nuk shënuam dhe në fund rezultati foli në favor të Dinamos. Nuk kam alibi për Covid-19, të gjithë lojtarët ishin në dispozicion dhe nuk mund ta përdor koronavirusin si justifikim. Bravo Dinamos që fitoi sot ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për ndeshjen e radhës.

Kemi marrë dy lojtarë shumë të mirë, lojtarë të rëndësishëm për kampionatin shqiptar siç janë Shkurtaj dhe Musta. Megjithatë, ata nuk janë ende gati. Është data 19 janar dhe ata kanë nevojë për kohë. Gjithsesi falenderoj klubin që i ka afruar, duke më vënë në dispozicion dy elemente me peshë, të cilët nëse do të luanin sot me siguri që do të na jepnin një dorë”, ka deklaruar Diego Longo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.