“Nuk durojnë dot që Tirana po shpallet kampion”, gazetari rrëzon akuzat për trukim: Histeri kolektive, Tirana i bën nder kampionatit

0

Një tymnajë është ngritur në futbollin shqiptar pas ndeshjes së djeshme mes Bylisit dhe Tiranës. Mallakastriotët përmbysën shifrat në pjesën e dytë të takimit, ku bardheblutë nuk po ndiheshin në fushën e lojës. Akuzat për trukim kanë shoqëruar këtë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Madje edhe vetë FSHF ka njoftuar ditën e sotme për nisjen e hetimeve.

Por një mendim ndryshe në lidhje me këtë çështje e ka gazetari Bledian Koka. Në një intervistë për “Syri TV” me gazetaren Enkeleida Zeko, Koka është shprehur se e gjitha kjo është një histeri kolektive që vjen nga ata të cilët nuk e durojnë dot faktin se Tirana po prek titullin kampion.

Çfarë ka ndodhur në këtë sfidë, a mund të jetë e trukuar?

“Ajo që unë mendoj, është se kjo është një histeri kolektive, e nxitur totalisht nga ata që janë kundër dhe nuk e duan Tiranën. Nuk e durojnë dot faktin që po shkon drejt titullit, nuk e durojnë dot faktin që janë poshtë në nivel me Tiranën dhe nuk e kuptojnë që në një kampionat, ku një skuadër ka nevojë të bëjë llogaritë e saj, nuk është e detyruar të marrë pjesë në një komepticion që për të nuk është i volitshëm.

Ne themi që ndeshja e Tiranës me Bylisin u shit ose u trukua. Vetë presidenti Halili ka shprehur dyshimet e tij, por ajo që duhet patur parasysh është ajo çfarë ka thënë trajneri Emanuel Egbo, i cili është njeriu që e menaxhon situatën në klub. Ne harrojmë që Tirana ka dy ndeshje të vështira në kampionat  (Kukësin dhe Partizanin) dhe skuadra duhet të bëjë llogaritë e veta, pasi synon fitoren e kampionatit që mungon prej një kohe të gjatë”.

Halili u shpreh se e kemi objektiv kupën, ndryshe nga sa foli Egbo?

“Egbo, ndryshe nga Halili që do të fitojë çdo gjë pasi e shikon si biznes personal, i duhet të menaxhojë skuadrën, pasi tashmë luhet çdo tre ditë.  Federata bën mirë që bën analizën, por këto gjëra duhet të bëhen në të gjitha ndeshjet. Por, të ngrihet pikëpyetje mbi një skuadër që i bën nder kampionatit në ditët e saj më të vështira dhe jo sot, që po shkon drejt titullit dhe të themi që ndeshja paska qenë e trukuar e të merremi me kompani bastesh që kuotokan Shqipërinë, këto e dëmtojnë futbollin tone”, ka thënë Bledian Koka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.