“Nuk dëgjuan urdhrin tonë”! Policia procedon 6 tifozë të Tiranës, e pëson edhe pronari i lokalit

0

Ndeshja mes Tiranës dhe Kukësit shihej si një finale për tifozët bardheblu pasi në rast të një fitore, atëherë do të mbylleshin edhe llogaritë e titullit kampion. Për këtë arsye mbështetësit e klubit kryeqytetas nuk mund ta braktisnin ekipin e tyre të zemrës duke qenë pranë stadiumit dhe me zërin që buçiste si të ishin ulur në shkallët e stadiumit.

Policia e Shtetit veproi menjëherë duke kërkuar shpërndarjen e turmës për shkakun e KOVID-it. Nëpërmjet një njoftimit të plotë ashtu siç raporton “Top Channel”, janë proceduar 6 tifozë të Tiranës për mos bindje të urdhrit të policisë, prishjes së qetësisë publike dhe shkeljes së protokollit të sigurisë mbi parandalimin e përhapjes së pandemisë. Por gjithashtu është gjobitur edhe pronari i një lokali që i ka hapur dyert tifozëve. /Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë

Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, si dhe nuk u bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për t’u shpërndarë, procedohen penalisht 6 shtetas, organizatorë të tubimit.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Kukësi, pasditen e djeshme, në stadiumin “Selman Stermasi”, disa persona kanë grumbulluar pranë stadiumit, një grup tifozësh të skuadrës Tirana, në shkelje të protokolleve të sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke prishur rendin dhe qetësinë publike dhe duke kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për t’u shpërndarë.

Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar në gjendje të lirë organizatorët, konkretisht shtetasit:

M.J., F. M., E. S., O. K., G. X. dhe K. M.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, u gjobit me 1 milionë lekë të reja pronari i një lokali në afërsi të stadiumit, pasi lejoi të futeshin dhe të qëndronin në ambientet e brendshme të lokalit, tifozët që nuk po zbatonin urdhrin e Policisë për t’u shpërndarë dhe respektuar distancimin social, urdhër i dhënë disa herë me megafon, që prej fillimit të grumbullimit të paligjshëm e deri në shpërndarjen e plotë të tyre.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.