“Nuk bën çudira, por ka një avantazh të madh ndaj Tiranës”! E thotë Arjan Peço, shqiptari që e njeh më së miri Young Boysin

Cili është avantazhi më i madh që ka Young Boysi përpara takimit me Tiranën? Kësaj pyetje i ka dhënë përgjigjen ideale shqiptari që e njeh më së miri ekipin zviceran, Arjan Peço. Prej disa vitesh ka dhënë kontributin e tij tek të rinjtë e Bazelit dhe aktualisht jeton në Zvicër, duke e njohur me detaje futbollin në këtë vend.

Kur pyetet në emisionin “Procesi Sportiv” mbi diferencat mes Young Boys dhe Tiranës, analiza ka një përfundim të saktë. Ekipi i Zvicrës favorizohet së tepërmi dhe pikën më të fortë e ka në aspektin fizik, që njëkohësisht edhe pika më e dobët e bardhebluve nisur nga fakti se në Shqipëri nuk po luhet kampionati.

“Si është Young Boysi? Ka ndalur hegjemoninë e Bazelit që ishte prej vitesh për titullin kampion. Në Zvicër po bind, por në Europë ka gabuar shumë kjo skuadër. Pika më e fortë është aspekti fizik i lojtarëve që mbajnë ritmin deri në sekondën e fundit të takimit dhe ka një përbërje me shumë cilësi, madje edhe stolin. Është një ekip i thjeshtë dhe që nuk bën çudira, luan futboll të thjeshtë, por shumë efektiv. Preferon shumë krosimet nga krahët.

Nga ana tjetër këtë do ta vuajë shumë Tirana pasi nuk ka luajtur një takim zyrtar në këto kohë. Për këtë arsye i shoh shumë të vogla shanset e kualifikimit të Tiranës, por ky është futboll dhe në fushë janë 11 me 11. Për momentin mediat në Zvicër nuk është se kanë shkruar shumë për ekipin shqiptar”, u shpreh Peço. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *