Ndryshe nga tradita, Seria A e mbylli që dje merkaton dhe klubet nuk mund të blejnë më deri në janar, ndaj është koha e bilancit dhe më pas sytë nga fusha. Si zakonisht, në Itali merkatoja është një kampionat më vete dhe tifozët këtë verë kanë pasur plot arsye për t’u entuziazmuar, nga një merkato faraonike, me Serinë A që ka kaluar 1 miliard euro shpenzim. Ja notat e merkatos për klubet e mëdha nga Gazzetta dello Sport…
JUVENTUS, 9.5 – Deri vjet largimi i Kristiano Ronaldos nga Reali ishte utopi e pastër, tashmë gjithçka ka ndryshuar. Juventusi ka bërë goditjen e shekullit të ri, në një Seri A në rritje konstante në aspektin financiar, duke qenë tashmë vetëm pas kampionatit anglez, dukshëm në avantazh. Portugezi është një goditje e madhe edhe në aspektin e imazhit dhe në këtë drejtim Zonja e Vjetër më në fund është e sigurt se është futur në elitën botërore dhe Champions League është synimi i vetëm, pas një vere ku bleu edhe lojtarë si Kanselo, Emre Xhan e Bonuçi.
INTER 8.5 – Deri në fund të sezonit të shkuar mendja ishte te Fair-play financiar, ndërsa tani Interi është si me magji ndër klubet më aktive në merkato dhe në përforcime të jashtëzakonshme, pa shkelur rregullat e UEFA-s. Lojtarë si De Vrij, Vërsaljko, Keita, Naingolan e Lautaro janë luks dhe të paktën në letër është ekipi që është më i kompletuari për të bezdisur Juventusin.
ROMA 8: Kur iku Naingolan pati shumë dyshime, kur u shit edhe portieri Alison tw shumtë ishin ata që e kanë Romën si një supermarket, por në të vërtetë Monçi është person që e ka gjithnjë një plan dhe spanjolli këtë verë ka mbyllur operacione fantastike, nga Pastore te Klajvert e në fund edhe kampioni i botës N’Zonzi.
MILAN 7.5 – Kur mendon ku ishte Milani para disa javësh, ajo që ka ndodhur është një mrekulli. Është ndryshuar gjithçka, nga kreu i klubit deri te lojtarët, ndërsa ka mbetur i paprekur Gatuzo. Higuain është një goditje fantastike, pasi sulmi ishte i dobët, ndërsa në çdo repart janë afruar lojtarë cilësorë. Ndoshta ëndrrat e mëdha janë të tepruara, por në këtë moment kuqezinjtë janë në një pozicion të shkëlqyer, sepse skuadra është e re dhe ambicioze.
NAPOLI 6.5 – Blerje shumë pak, por ka ardhur Ançeloti dhe kjo është shpresa e madhe e tifozerisë napolitane. Përforcimet e rivalëve të futin frikën, por merkatoja e Napolit nuk ka qenë e keqe dhe nuk është larguar asnjë emër i madh, përveç Reinas.
LACIO 6.5 – Igli Tare ka bërë çka mundur me një buxhet të vogël, si zakonisht, por mjafton fakti që Lacio nuk ka shitur asnjë nga yjet e vet, për ta quajtur një merkato të mirë.