Notat e Kombëtares/ Gjasula “zhduket” dhe Ismajli kishte “misionin e Papës” në zonë luf.te, Ramadani tregon se nuk duhet paragjykuar nga veshja

Nga Klaudio Ndreca

Strakosha (4): “Zgjedhja e befasishme e Rejës ishte e mirëpritur, për të ulur Berishën në stol. Pikësëpari Strakosha kishte luajtur më tepër dhe mbi të gjitha, skautë të “Premier League” ishin në Wembley, Newcastle e kërkon në janar. Shumë arsye për të zgjedhur Strakoshën, por paraqitja e portierit të Lacios ishte më e errët se mbrëmja e tmerrshme e Wembley. Mund të bënte diçka më tepër në golin e Maguire, në golin e katërt të Kane, në inteligjencën e munguar duke ndjekur mbylljen e Ismajlit për t’i hapur zonën bosh Henderson dhe pastaj për të mbërritur te roveshata. Nuk i ofron sigurinë mbrojtësve në një mbrëmje paniku, teksa qëndron në zonën e tij pas çdo krosimi ku dukshëm anglezët i fitonin duelet me lojtarët shqiptarë. Strakosha ka përparësinë për ta prekur topin me dorë dhe të mbylli historinë, por nuk lëviz dhe eviton frikën e gafës. Shkëlqen vetëm në një pritje fantastike ndaj Harry Kane nga distanca, i heq atë që do të ishte goli i katërt personal. Nëse kjo mund të quhet meritë…”.

Dërmaku (4): “Lojtari më i dobët! Vjen për të marrë vendin e Kumbullës, kur ndeshja ishte me shifrat 1-0 dhe e kishte marrë rrugën e historisë së saj, por nuk kishte shkuar ende për djall. Nuk kalojnë as 30 sekonda që Harry Kane të shënonte golin e dytë, Dërmaku nuk po e kuptonte ende ku ishte në ato momente. Më pas shfaqet tek të gjithë golat e mbetur të Anglisë, në pamundësi për të reaguar. Ka gjithë muskujt dhe ishte e vetmja shpresë për të ndalur Harry Kane pas daljes së Kumbullës, por dështon me sukses. Nëse do të themi se ishte disi e habitshme pasi vinte nga një formë fantastike në Itali, duhet të kujtojmë se luan me Leçen dhe përballë tij ishin emrat më të frikshëm në Europë. I kufizuar!”.

Ismajli (5.5): “Më i miri mes një mbrojtje që nuk ishte askund. Misioni i Ismajlit ishte i jashtëzakonshëm, po aq i vështirë, i bukur dhe sfidues sa edhe i Papës, për të vendosur paqe e rregull në një zonë luf.te dhe të bombar.duar nga kundërshtarët. Ndoshta as vetë Ismajli në ëndrrën e tij më të keqe nuk do të kishte imagjinuar se në një ndeshje kundër Anglisë, do të ishte në krahun e tij pa Kumbullën dhe Gjimshitin. Në Wembley e gjeti veten në këtë moment të tmerrshëm dhe nëse shifrat nuk shkuan në 7, merita i takon mbrojtësit të Empolit. Disa ndërhyrje me vlerën e golit të shënuar, ku veçohet mundësia e artë që i hoqi Sterling. Ndër të vetmi që e kalon klasën”.

Veseli (4.5): “Foli bukur për mediat britanike, por sikur të kishte të njëjtën lartësi edhe në fushë…! Veseli u shpreh se shqiptarët janë të bashkuar pavarësisht trevave ku gjenden, por nga ana tjetër “përçan” dhe nuk kuptohet dot me dy të tillë për të mbajtur zonën e qendrës në rregullin e duhur. Nuk bënë gabime trashanike, por vendosje të gabuara që kthehen në raste fatale për Anglinë. Nuk e ndjek aksionin dhe që të qëndrojë në linjë me të tjerët për të nxjerrë në pozicion jashtë loje kundërshtarin. Në shumë raste dalim blof në këtë mënyrë, madje kemi pësuar golin e katërt për këtë arsye. E kot që të ngresh dorën për pozicion jashtë loje, Veseli di sesi t’i mbajë në lojë”.

Hysaj (4): “Nuk ishte as mbrëmja e shkodranit. Tërësisht inekzistent në krahun e tij dhe vazhdon që të humbasë pafundësisht topin. Madje edhe në mbrëmje ku dukej se Gjasula nuk dërgoi asnjë pasim të saktë, Hysaj “mban kampion” si lojtari me më shumë pasime të gabuara, 13 të tilla. Vazhdojmë të theksojmë se është i vetmi futbollist që ka eksperiencën më të madhe dhe vjen nga Shqipëria e kohës së Europianit, që vazhdon të luajë në nivelet më të larta të Serisë A, por që nga ana tjetër, nuk po sillet si një lojtar mesatar, pasi t’i kërkosh që të bëjë diferencën është e tepërt. Nuk e merr kurrë krahun për të sjellë sadopak rrezik për rivalët dhe arsyeja e thënë për humbjen pas ndeshjes është akoma edhe më e tmerrshme për një futbollist me atë eksperiencë: “U futëm me frikë”.

Klaus Gjasula (4): “Duhej me patjetër që të shihje mbiemrin në fanellë, për të kuptuar se ishte Klausi. Epo duhet të kuptojmë se perfeksioni nuk ekziston, lojtari më i pagabueshëm te Kombëtarja, papritur na kujtoi se ka edhe edhe ai një ditë “JO”, si të gjithë të tjerët. Gaboi thuajse në çdo pasim të dhënë dhe humbi thuajse çdo duel të rëndësishëm. Sigurisht që do të ishte e padrejtë që ta fajësonim, i ka krijuar imunitetin vetes me atë që ka treguar në fushë gjatë gjithë kësaj kohe me Shqipërinë. Madje edhe nëse do të ishte në ditën e tij më të mirë, thjesht do të zbuste disi shifrat, nuk mund të bënte më tepër. Por padyshim që kishte zgjedhur ditën e gabuar për “JO-në”. Me mungesën e Marash Kumbullës, Keidi Bares dhe Berat Gjimshitit, gabimet e Klausit ishin si shenja që treguan se fundi i botës po vinte nga Wembley për Shqipërinë. Fatmirësisht anglezët kishin mëshirë”.

Nedim Bajrami (4): “Shqipëria ka luftuar shumë për të, po Nedimi kur për Shqipërinë? Çështje në CAS dhe një betejë e pamundur që u fitua vetëm për t’i dhënë mundësinë lojtarit që të luajë edhe në Kombëtare. Erdhi me pritshmëri të madhe, por thuajse në asnjë ndeshje nuk e ka përmbushur atë. Për më tepër, performancat po vijnë në zbritje. Ndoshta i ndikuar edhe nga mungesa e aktivizimit te Empoli, por nëse nuk arrin të bëjë diferencën në sulm, Nedimi duhet të shtojë marshin në mesfushë për të ndihmuar edhe mbrojtjen”.

Sokol Cikalleshi (4.5): “Është sulmuesi më i mirë dhe më produktiv në epokën e Rejës. Por Sokol Cikalleshi ka gjithmonë një problem, diferenca e madhe e cilësisë vihet re lehtë prej tij. Thuajse në të gjitha ndeshjet kur Shqipëria është përballur me rivalë të mëdhenj, Cikalleshi nuk ka mundur që t’u ik mbrojtësve të tyre, qoftë edhe në një driblim të vetëm. Shumë më ndryshe ndodh në ndeshjet me rivalët e tjerë, ku i ndihmuar edhe nga fiziku, Cikalleshi arrin që t’u shkëputet. Këtë herë vihet re pak më tepër se Uzuni me mbrojtjet e topit dhe tregon praninë e tij duke qenë në kontakt me të sadopak në ato momente kur kalojmë gjysmën e fushës. I humb të gjitha duelet në ajër dhe tenton që të imitojë Brojën me goditjet nga distanca, që përfundojnë në mënyrë të dëshpëruar”.

Myrto Uzuni (4): “Shqipëria ka pasur në pjesën më të madhe të historisë lojtarë që janë krijuar vetëm për Kombëtare, por që në ekipet e tyre nuk shpreheshin dot. Ndërkohë rasti i Uzunit është i kundërti, teksa është ylli i Ferencvaros dhe zhgënjen me Shqipërinë. Shumë gabime të njëpasnjëshme kur gjendet i vetëm përballë portierit, hapin diskutime për emocionet e forta që përjeton dhe e bllokojnë këtë sulmues, që na kanë kushtuar jo pak. Nga krahu tjetër duhet theksuar se Uzuni ka arritur që t’i shënojë Juventusit në Itali dhe së fundmi ka shënuar me Celtic, pra mund të shuhen dyshimet se nuk i përballon dot nivelet e larta. Por se çfarë e bllokon te Kombëtarja, është një diskutim që Uzuni duhet ta zgjidhi me veten e tij. Fakti është se në këto kualifikuese nuk ka arritur që ta ndihmojë Kombëtaren, megjithëse Reja i besoi aq shumë.

Ylber Ramadani (6): “Më i miri i Shqipërisë. Hyn në vendin e Nedim Bajramit dhe u jep leksion të tjerëve, sesi mund të luhet futbolli. Nuk është shkencë, kërkon thjeshtësi dhe saktësi. Sigurisht që ka fatin se Anglia e kishte ulur marshin e saj dhe ishte e ngopur me 5 golat, por gjithsesi Ramadani tregoi një anë tjetër. Hyri me nisjen e pjesës së dytë dhe rikuperoi jo pak topa nga këmbët e lojtarëve anglez. Bënte punën e duhur në qendrën e fushës dhe ishte i saktë në pasimet e dhëna. Arritëm të fitonim qetësinë dhe kishim një sitë para mbrojtjes, këtë herë jo çdo dëshirë e anglezëve për të ndërtuar aksion përfundonte në prapavijën tonë. Një mesazh dhe shembull ky për të kuptuar se lojtari nuk duhet paragjykuar kurrë nga veshja. Luan te MTK Budapest, por Ramadani ishte i vetmi që u përgjigjej me të njëjtën lartësi kundërshtarëve të tij”. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online