Notat e Kombëtares/ Elseid Hysaj të bën dy herë dëm! Marash Kumbulla kërkon ndjesën e çdo shqiptari, Manaj na e ktheu Kamil Glik si Van Dijk

0

Nga Klaudio Ndreca

Etrit Berisha (4.5): “Të jep qetësi dhe është gjithmonë aty kur mbrojtja kërkon pak ndihmë, pasi pjesën më të madhe të punës e kryen me sukses prapavija. Por futbolli është i tillë, në fund mbahet mend rezultati, 0-1. Në golin e vetëm që ne pësojmë, Berisha lë pa mbuluar shtyllën që gjendej më afër tij dhe topin e goditur ulët, mund ta kishte larguar me këmbë në pozicionim më të mirë. Nuk e bën dhe kapet pak në befasi”.

Veseli (6): “Nuk ishte aq keq sa mund të mendohej. Merr vendin e lojtarit më në formë te Shqipëria, Berat Gjimshiti. Nuk kalon shumë në eksperimentim dhe është aty për të bërë mbylljet e duhura kur i kërkohet që të vijë për të dhënë kontributin e tij”.

Ardian Ismajli (7): “Super ndeshje! E kemi thënë edhe me Hungarinë, është lojtari më i nënvlerësuar te Shqipëria. Të gjithë shohin ekipet nga vijnë mbrojtësit dhe pakkush sheh lojën e tyre. Ismajli rezulton së bashku me Gjimshitin si lojtarët e mbrojtjes që kanë pasur më shumë vazhdimësi te Shqipëria. Eviton në maksimumin rrezikun e Leëandoëskit dhe ka gjithmonë siguri në ndërhyrjet e tij. Asgjë e bërë keq”.

Marash Kumbulla (8): “Ne e prisnim, ashtu ndodhi. Ndeshja e parë në Poloni kishte krijuar një mllëf me Leëandoëskin. Në momentin kur pësuam golin, Kumbulla e kaloi në vrapim sulmuesin polak dhe arriti që të pozicionohej mirë me trup, por një pengim, i dhuroi golin polakëve. Kaq mjaftoi që të gjithë ta kritikonim, megjithëse ishim të ndërgjegjshëm se Kumbulla do ta kishte mbuluar Leëandoëskin në atë moment, pa pengimin. Na e tregoi në Air Albania se mund t’ia dali pa pikë problemi ndaj tij, sigurisht këtë herë pa u rrëzuar. I fiton të gjitha duelet në ajër, të gjitha duelet në tokë dhe është thjeshtë i jashtëzakonshëm ndaj kandidatit për Topin e Artë. Nëse do të kishim fituar do të meritonte 10, e cila nuk mund të jepet me këtë rezultat. Por ajo që mund të japim është një kërkim ndjese për të, që duhet të shoqërohet edhe nga gjithë opinioni sportiv dhe tifozët që e kritikuan aq shumë”.

Elseid Hysaj (4.5): “Pak të thuash…keq! Gjithmonë e kemi thënë se Hysaj është lojtari që duhet të mbaj peshën maksimale të Kombëtarja për vjetërsinë e tij në ndeshjet me Shqipërinë dhe njëkohësisht nivelin e ekipit dhe kampionatit ku luan, nuk ndodh kështu. Në pjesën e parë na “surprizon” duke gabuar pak dhe ishte mirë në kombinimet me Roshin për të dalë në sulm. Në pjesën e dytë, djallos gjithçka. Një humbje topi në mesfushë, tipike e Hysajt dhe pasi kthehet në mbrojtje nuk ka as vëmendjen më të vogël për të rregulluar gabimin e tij. Autorin e golit e lë totalisht të lirë nga mbrapa shpinës, nuk i kushton fare rëndësi dhe qëndron pranë një kundërshtari tjetër, atje ku gjendeshin dy mbrojtës të Shqipërisë. Të bësh një gabim të tillë në një ndeshje finale, është e pafalashme. Një lojtar i ri do të ishte kryqëzuar, jo më Hysaj”.

Lorenc Trashi (4.5): “Trashi është gjithmonë i njëjti, nuk ndryshon kurrë. Gjithmonë vlerësimet i merr për mbylljen e kundërshtarëve, por është tërësisht i limituar kur kërkon t’i jap krahë sulmit tonë. Nuk ka aftësitë për të hyrë në driblim dhe në minutat e fundit kur del nga fusha, të frikëson me rezistencën e dobët dhe idetë e tij se ku do ta dërgojë topin. Kaotik”.

Ramadani (7): “Meriton shumë vlerësime. Hyri në fushën e lojës dhe mori vendin e Klaus Gjasulës. Në gabimin më të vogël që do të bënte, do të vihej menjëherë re pasi Klausi na ka treguar se është i pagabueshëm. Ramadani i kalon të gjitha pritshmëritë dhe spikat mbi të gjithë në mesfushë. Vlera e tij më e madhe është fakti që zgjedh të luajë me pasime të thjeshta dhe kjo e bën që të gabojë rrallë. Gjithashtu thyen shumë aksione të polakëve dhe njëkohësisht ka zgjuarsinë e Gjasulës për të kuptuar se kur duhet t’i ndalojë edhe me faull rivalët”.

Keidi Bare (6): “Në pjesën e parë ishte i jashtëzakonshëm. Di të përdor mirë trupin në duelet ndaj kundërshtarëve, ka kontroll të mirë të topit dhe është mesfushori i vetëm që mund të shtyjë para me cilësitë që ka. Por në të dytën nis rënia e tij, e ndikuar edhe për shkak të një shqetësimi fizik të konfirmuar nga vetë trajneri Reja. Bare po sakrifikonte dhe kërkonte që të mos largohej nga fusha, por dukshëm që forma ishte në rënie”.

Odise Roshi (6.5): “Odise Roshi është tipik…”lojtar Kombëtare”. Pra, në çfarë do forme që të jetë në ekipin e tij, edhe nëse qëndron në stol apo nuk shënon një gol të vetëm, në Kombëtare do të shpërthejë. Shumë vite kanë kaluar dhe Roshi është po i njëjti që nuk ka frikë të futet në driblim ndaj çdo rivali që ka para syve të tij. Ia del me sukses në të gjithë veprimet që bën dhe aksionet që ndërmer si të ishte një lojtar i klasit të lartë. Problemi i vetëm është që jep vetëm 45 minuta dhe pastaj nis të shuhet”.

Myrto Uzuni (5.5): “Vrapon shumë, por gjithmonë bën punën e padukshme. Sulmuesi i ka shtuar presionin vetes me golat e shënuar te Ferencvarosh dhe me fjalët e thëna: “Jam në formën më të mirë të karrierës time”. Kjo ngre më tepër presionin dhe tifozët prisnin që në të paktën një prej këtyre dy ndeshjeve të zhvilluara, Hungari ose Poloni, të zgjidhej nga Uzuni. Nuk ia del që të shënojë në asnjë prej këtyre përballjeve. Me Poloninë nuk ka rastet e pastra që iu krijuan me Hungarinë, por njëkohësisht nuk krijon rrezikshmërinë e duhur për t’iu afruar portës kundërshtare. I limituar!”

Rei Manaj (4): “Nuk kishte kuptuar vlerën e ndeshjes, FINALE dhe HISTORIKE. Ishin minutat e para dhe kur kapëm në befasi Poloninë, tentoi të imitonte Armando Brojën me heroizmin ndaj Hungarisë. Ishte pikërisht shembulli dhe rasti për t’u treguar se çfarë mund të bëhej me Brojën nëse nuk do të kishte shënuar në “Elbasan Arena” kundër Hungarisë. Në të dy rastet ishte Uzuni që priste i vetëm nga krahu tjetër, nuk u shërbye në asnjë rast, por Broja na dha 3 pikët. Në kohën kur shkoi te Barcelona, Manaj do të shprehej se ka mësuar shumë dhe është habitur me thjeshtësinë që kishin yjet katalanas. Por mesa duket, nuk ka mësuar asgjë!

Kërkoi protagonizmin e kot dhe u rrëmbye nga dëshira për të qenë hero në “Air Albania” që ishte më zjarr se kurrë. Uzuni do të dilte përballë portierit dhe nëse nuk do të gabonte këtë herë, ndeshja do të niste 1-0 për Shqipërinë. Por jo vetëm kaq! Pika dhe cilësia më e fortë që ka Manaj është lufta fizike dhe ajo në ajër. Në momentin kur i fiton me rivalët, këta të fundit dinë që të aktrojnë në disa raste për t’i marrë faull. Ndërkohë e teproi me Kamil Glik! Për një moment mbrojtësi i Beneventos u duk si të ishte Virgil Van Dijk. Nuk i fitoi dot asnjë duel të vetëm në 90 minuta, si në tokë dhe në ajër. E çuditshme, në një kohë që Glik shihej si mbrojtësi që duhej sulmuar për të metat e tij, por Manaj nuk arriti dot kurrë që ta kalonte, nuk do të mundej edhe sikur ndeshja të zgjaste për 180 minuta”. /Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.