Noel Niason, një ganez në provë te Kamza

Sulmuesi anësor vjen nga Malta, aty ku ka luajtur në kupat e Europës. Vjet luajti në Ligën e Parë në Greqi.

Vladimir Prenga

Bruno Barral është afrimi i parë i Kamzës, ndërkohë që pritet që të ketë edhe të tjera afrime gjatë këtyre ditëve. Drejtuesit po punojnë intensivisht për të mbyllur marrëveshjet me të tjerë lojtarë, por ka edhe futbollistë që po testohen te skuadra e rikthyer këtë sezon në Superiore. Ditën e djeshme, nën urdhrat e trajnerit Ndreu është vënë edhe një sulmues ganez, që së fundmi ka luajtur në Maltë me Florianën në kupat e Europës. Bëhet fjalë për Noel Niason, i cili luan si sulmues anësor. 24-vjeçari nuk ka ndonjë marrëdhënie të mirë me golin, teksa vjet që ka qenë pjesë e skuadrës greke të Panelefsiniakos nuk ka shënuar asnjëherë në 16 ndeshje që ka luajtur prej muajit janar. Sulmuesi më parë ka luajtur edhe në Belgjikë, madje me Liersen, në elitën e futbollit belg. Niason do të vëzhgohet me kujdes nga trajneri Ndreu gjatë këtyre ditëve dhe më pas do të vendosë nëse ai do të qëndrojë te Kamza apo jo.

Veç lojtarit ganez, te Kamza po provohen edhe të tjerë futbollistë. Javën e ardhshme, kur edhe ekipi të jetë më i plotë, pritet që të ketë edhe ndonjë ndeshje miqësore, që do t’i vlejë shumë stafit teknik për të parë gjendjen e skuadrës dhe për të përcaktuar se ku do të duhet të ndërhyhet sërish në merkato. Sa i takon fazës përgatitore, ajo me shumë mundësi do të zhvillohet në Slloveni, por pritet për t’u zyrtarizuar gjithçka.

PËRGATITJET – Gjatë këtyre ditëve skuadra ka punuar shumë në aspektin fizik, ndërkohë që dje ritmi ka qenë më i ulët. Sot skuadra pritët zhvillojë një ndeshje kontrolli, aty ku do të shihen më së miri edhe futbollistët e ardhur në provë, ganezi Niason apo i riu Hyseni e të tjerë që duan të luajnë në Superiore. Pikërisht fusha e blertë do jetë barometri më i mirë për të gjithë futbollistët që janë në provë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *