Përballje të forta dhe shumë interesante në grupet e Champions Ligës. Ndeshjet e para të fazës së grupeve zhvillohen në mesjavën e 18-19 shtatorit. Ndryshime do të ketë dhe në orarin e ndeshjeve, me sfidat që do të nisin në orën 18:55 dhe në 21:00 të mbrëmjes. Finalja do të zhvillohet në Madrid në stadiumin e Atletikos “Estadio Metropolitano”, me datë 1 qershor të vitit të ardhshëm.
Në Grupin A bie në sy sfida midis Monakos dhe Atletikos së Madridit, ndërsa gjermanët e Dortmundit do përballen në transfertë me belgët e Bryzhit.
Përballje shumë e fortë do të jetë dhe ajo mes Interit dhe Totenhemit. Ndeshja e Grupit B zhvillohet në “San Siro” dhe të dy ekipet do të tentojnë fitoren dhe tre pikët e para në grup, ndërsa Barcelona e nis në shtëpi me PSV.
Grupi C e nis me një super ndeshje. Liverpul-PSG është tëra për t’u ndjekur, ndërsa të dy trajnerët: Jurgen Klop dhe Tomas Tuhel kanë drejtuar Dortmundin më parë dhe do të kenë një tip “derbi” midis tyre. Nga ana tjetër, Napoli i Ançelotit do të udhëtojë drejt Beogradit për të marrë tre pikët e para përballë Cërvena Zvezdës.
Ndeshje të forta dhe të ekuilibruara dhe në Grupin D. Shalke pret Porton, ndërsa në Stamboll pritet një duel i zjarrtë turko-rus. Gallatasarai kërkon ta nisë me fitore, por nuk do e ketë aspak të thjeshtë përballë Lokomotivës së Moskës.
Ndeshje të bukura dhe interesante do të na ofrojë dhe dita e mërkurë. Bajerni e nis Grupin E në transfertën portugeze përballë Benfikës, ndërsa Ajaksi pret AEK-un e Athinës në Holandë.Mançester Siti është pjesë e Grupit F dhe djemtë e Guardiolës do e nisin rrugëtimin e tyre në Champions përballë Lionit në stadiumin e tyre. Ndeshja nuk është e lehtë, por Siti tenton vetëm fitoren. Përballje e fortë në Ukrainë, ku Shaktjori vendas do të presë debutuesit gjerman të Hofenhajmit, të cilët luajnë për herë të parë në fazën e grupeve.
Grupi G e nis direkt me një ndeshje të madhe. Reali i Madridit pret Romën në “Santiago Bernabeu”. Lopetegiu dëshiron ta nisë me fitore, ndërsa ekipi i Di Françeskos do të kërkojë të bëjë të pamundurën për të ndaluar Kampionët e Europës në fuqi, ndërsa në sfidën tjetër, Viktoria Pilzën pret CSKA e Moskës në një ndeshje të ekuilibruar dhe të fortë.
Ndeshje të forta dhe në Grupin H. Ronaldo rikthehet në Spanjë, ndërsa Juventus e nis nga fusha e Valencias rrugëtimin e saj drejt fitimi të Champions. Ndeshje aspak e lehtë, sepse Valencia është rikthyer në fazën e grupeve mbas një mungese të gjatë dhe ka një ekip shumë të fortë. Murinjo dhe Mançesteri i tij do të udhëtojnë drejt Zvicrës, aty ku do të përballen me debutuesit e Jang Bojs.
E MARTË, 18 SHTATOR
GRUPI A
Klub Bruzh-Borusia Dortmund 21:00
Monako-Atletiko-Madrid 21:00
GRUPI B
Barcelona-PSV 18:55
Inter-Totenhem 18:55
GRUPI C
Cërvena Zvezda-Napoli 21:00
Liverpul-PSG 21:00
GRUPI D
Shalke 04-Porto 21:00
Gallatasarai-Lokomotiva e Moskës 21:00
E MËRKURË, 19 SHTATOR
GRUPI E
Ajaks-AEK Athinë 18:55
Benfika-Bajern Mynih 21:00
GRUPI F
Shaktjor Donjetsk-Hofenhejm 18:55
Mançester Siti-Lion 21:00
GRUPI G
Real Madrid-Roma 21:00
Viktoria Pilzën-CSKA Moskë 21:00
GRUPI H
Valencia-Juventus 21:00
Jang Bojs-Mançester Junajtid 21:00