Riçarlison De Andrade po jeton ëndrrën e qindra milionave brazilianëve. Sulmuesi 21-vjeçar shënoi dje 2 golat e tij të parë me përfaqësuesen braziliane, diçka që për të do të ishte krejtësisht e paimagjinueshme katër vite më parë. Riçarlison nuk e ka nisur si shumë yje të tjerë të Brazilit që janë zbuluar nga klube elitare ende p 15 vjeç si Nejmar, Kutinjo ose së fundmi Vinisjus e Rodrigo, të cilët u blenë nga Reali për më shumë se 40 milionë euro secili dhe e gjithë kjo pa mbushur ende 18-vjeç.
Lojtari i transferuar tek Evertoni për 45 milionë euro (blerja rekord e klubit) gjatë kësaj merkatoje ka rrëfyer në një intervistë për “AS”, fillimet e vështira dhe momentin, kur për pak sa nuk i dha fund njëherë e përgjithmonë me sportin. I rritur nga një nënë e braktisur nga bashkëshorti, Riçarlison e filloi futbollin në një qytezën e tij të vogël Nova Venecia, ku futbolli nuk kishte të ardhme, pasi ekipet e qytetit ishin të gjitha amatore, skuadra më e afërt profesioniste, Real Noroeshte, ndodhej një orë e gjysmë larg dhe nuk i mundësonin lojtarëve të akademisë strehim. 17-vjeçari Riçarlison e kuptoi se duhet të synonte më lart, nëse dëshironte të realizonte ëndrrat e tij, dhe më pas nisi pjesa më e vështirë, zhgënjimet provë mbas prove.
Refuzimet e njëpasnjëshme – “Nuk kam mjaftueshëm gishta në duart e mira për të treguar numrin e klubeve që më refuzuan. Besimi se mund t’ia dilja nuk më mungonte edhe në momentet më të vështira, por vija nga një familje e varfër dhe mundësitë i kisha shumë të pakta. Në dhjetor të 2014-ës Me paratë e fundit që më kishin ngelur udhëtova drejt qytetit të Belo Horizontes, për t’u provuar te akademia e klubit të Amerika Mineiros. Isha 600 kilometra nga shtëpia dhe nëse do më refuzonin përsëri do isha në telashe, pasi s’kisha me çfarë të kthehesha. Dhashë gjithçka që kisha në atë provë dhe më pranuan”.
Vështirësitë ekonomike – “Më duhej të jetoja në shtëpinë e xhaxhait tim, pasi ai banonte më afër stërvitjes sime dhe s’kisha para për të paguar udhëtimin me autobus dy herë në ditë. Shumë herë ndihmoja prindërit duke shitur akullore dhe ëmbëlsira si shitës ambulant. Ajo eksperiencë më mësoi se në jetë të duhet kesh durim, këmbëngulje dhe besim te njerëzit e duhur”
Idhujt në fushë dhe jashtë saj – “Babai dhe Xhaxhai im janë idhujt të mi në fushë dhe jashtë saj. Të dy kanë luajtur në nivel amator, ndërsa si futbollist është padyshim Ronaldo fenomeni. Ai meriton atë nofkë, ka qenë një talent që s’vjen më. Pata kënaqësinë ta takoja dje dhe ishte shumë emocionuese. Kam një ritual të veçantë para çdo ndeshje. Kur jam rrugës për në stadium në autobus. Marr një tabletë dhe vendos video të golave të atij për t’u bërë gati”…