“Një vlerësim për CV-në timë”, Daja flet për zërat e merkatos: Nuk shpërndahem, këtu për ta çuar Skënderbeun në vendet e larta

0

Emri i Ilir Dajës është sjellë së tepërmi në vëmendjen mediatike këto kohë, duke u lakuar së tepërmi në merkato. Padyshim që eksperienca e tij dhe vitet që ka kaluar në krye të pankinës në kampionatin shqiptar flasin qartë për aftësitë e tij. Nga Partizani e Tirana e deri te Shkëndija e Tetovës kanë qenë skuadrat për të cilat është përfolur një kalim i strategut kryeqytetas.

Diçka e tillë shihet si një vlerësim nga ana e Dajës, po nga ana tjetër e bën të qartë se e ka mendjen vetëm te Skënderbeu. Në një prononcim për “Supersport”, trajneri i bardhekuqve shprehet se është në krye të pankinës për ta dërguar skuadrën në pozicionet pmë të larta në klasifikim dhe jo të mendojë për merkaton.

“Është një periudhë merkato. Jo vetëm për futbollistët, por edhe për trajnerët do të ketë emra që do të shfaqen në listën e preferuar të ekipeve. Unë jam totalisht i përqendruar te Skënderbeu, sepse kjo është natyra dhe karakteri  im. Pa mbaruar një kontratë dhe një punë nuk mund të bëj marrëveshje me të tjerët. I vlerësoj sepse në fund fare është një vlerësim për të CV dhe për ato rezultate që kam arritur në karrierë.

Por nuk do shpërndahem sepse jam drejtuesi teknik i Skënderbeut dhe dua që të fokusohem në këtë kohë merkato që të motivoj futbollistët për të qenë të përqendruar, për të përfaqësuar sa më denjësisht Skënderbeun. Jemi këtu për të qenë në pozicionet e larta të tabelës dhe jo të shpërndajmë vëmendjen dhe të merremi me gjëra që nuk i takojnë momentit”, ka thënë Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.