“Një sy dhe vesh nga Shkodra”! Trajneri Martini garanton kundër Apolonisë: Si të ishte ekipi kampion, lojë shahu me Brdariç për dekurajim

Trajneri i Teutës, Martini, ka folur përpara ndeshjes së fundit që do të kenë kundër Apolonisë. Durrsakët janë vetëm një hap larg titullit kampion dhe festimit që mund të vijë pas 27 vitesh pritje. Megjithatë Martini nuk kërkon që të hap shampanjën përpara kohe duke u shprehur se një sy dhe vesh duhet të jetë edhe nga Shkodra, për të parë rezultatin e Vllaznisë kundër Laçit.

“Normale është ndeshja e fundit e kampionatit dhe ky sezon ka treguar që çdo ekip e ka provuar në disa momente vendin e parë për dy javë më pas një tjetër, jemi të mobilizuar në maksimum që nga kjo ndeshje të shpallemi kampionë. Unë mendoj që ne të bëjmë lojën tonë dhe të fitojmë ndeshjen. Normale që një sy dhe një vesh duhet të jetë në Shkodër, megjithëse unë mendoj që në këtë moment na ka ardhur fati në dorë në ndeshje të fundit, djemtë e dinë sa e rëndësishme është, ekipi është i mobilizuar në maksimum dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.

Është një ndeshje që ne duhet ta përgatisim për të gjitha skenarët, edhe për luajtjen e nervave, shpejtësinë e lojës dhe për arritjen tek goli. Është një ndeshje që në letër duket e lehtë, por ne duhet ti bëjmë hyzmetin dhe ta trajtomë si një ndeshje sikur po luajmë ndaj një ekipi që është për kampion, kështu që këtu neglizhenca nuk ekziston. Biseda me Brdaric? Po është e vërtetë, ne kemi ndenjur dhe kemi pirë kafe së bashku, por këto janë biseda trajnerësh ku njëri kërkon të dekurajojë tjetrin, është një lojë shahu”, tha Martini. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *