Momenti i së vërtetës dhe i historisë për Tiranën, që ka mundësinë për të përsëritur të njëjtin sukses ashtu si edhe Skënderbeu. Ekipi shqiptar është vetëm 90 minuta larg mbërritjen në grupet e “Europa League”. Por për të shkuar deri në këtë pikë nuk është aspak e lehtë pasi duhet të eliminohet Young Boys.
Një skuadër kjo që konsiderohet edhe si “përbindësh” për ndeshjet në shtëpi, pasi nuk gabon thuajse asnjëherë. Por trajneri Egbo kërkon që të shfrytëzojë në maksimum faktin se te ekipi zviceran e shohin si dështim heqjen e mundësisë për të shkuar në grupet e “Champions League”.
Tirana është më e motivuar për të qenë pjesë e “Europa League” dhe ndonjëherë në futboll fiton ekipi që ka më shumë dëshirë në fushë. E për të rritur dëshirën e lojtarëve ka menduar presidenti Refik Halili. Sipas asaj që raporton “Balkanweb” është premtuar një shifër tejet e lartë dhe që nuk është parë më herët, pasi janë 20 mijë euro për secilin pjesëtar të Tiranës që do të shkojnë në arka nëse do të eliminohet Young Boysi. /Sport Ekspres/