Një javë pushim, Magani pret dy titullarë

0

Fundjava e ardhshme do të jetë pushim për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare dhe është një lajm i mirë për Teutën e Gugash Maganit. Barazimi kundër Kamzës evidentoi lodhje fizike të dukshme në fundin e takimit, ndoshta e ardhur edhe nga sforcimi i pallogaritur në kupë ndaj Tërbunit, që vetëm në fund u dorëzua. Ndërkaq, kundër Kamzës trajneri Magani u vendos në vështirësi edhe nga dëmtimet, sepse munguan dy lojtarë të rëndësishëm si mesfushori Arbër Çyrbja, vendimtar në fitoren në Shkodër, dhe sulmuesi Onieka Osemene, edhe ky një futbollist mjaft interesant, që pak nga pak po bëhet i rëndësishëm në Durrës. Të dy këta munguan në Kamzë, duke prishur jo pak nga ekuilibrat e skuadrës durrsake, por deri të mërkurën e 11 tetorit, për sfidën shtëpiake kundër Partizanit, pritet të jenë gati.

BILANCI – Starti perfekt i sezonit u zbeh pak nga humbja kundër Flamurtarit dhe frenimi në fundin e ndeshjes në Kamzë. Nëse vinte fitorja në ndeshjen e fundit, gjithçka do të ishte perfekte, por edhe 7 pikë në 4 ndeshje janë një bilanc mjaft i mirë, duke parë ç’po ndodh në Superiore, ku asnjë skuadër nuk duket e kompletuar, me përjashtim të Skënderbeut. Një arsye më shumë për të qenë optimistë në Durrës është se fillimi i sezonit ishte pjesa më e vështirë, pasi skuadra është rindërtuar, ndërsa në vazhdim Magani ka kristalizuar formacionin dhe e ardhmja duket shumë pozitive.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.