Superiorja është futur në fazën e saj më të nxehtë, aty ku Vllaznia, Laçi, Partizani dhe Teuta luftojnë për vendin e parë në kampionat. Të katërta këto skuadra fituan ndeshjet përkatëse, duke u munduar t’i japin sinjale “kërcënuese” njëra-tjetrës. Megjithatë vëmendja e javës u përqendrua edhe tek përballja Kastrioti-Partizani, e përfunduar me rezultatin 0-3 në favor të kryeqytetasve.
Ekipi krutan është kryqëzuar nga tifozeritë kundërshtare të Partizanit se ka lëshuar pe në ndeshjen e fundit, në mënyrë që të ia bënte fitoren sa më të lehtë. Sipas tyre, duke qenë se Kastrioti ka siguruar objektivin kryesor, atë të “mesit të artë”, duke mos rrezikuar me rënien, ndikon disi në prishjen e garës. Kjo pasi në ndeshjen paraardhëse do të vinte fitorja në shifrat 0-1 ndaj Kukësit, ku për më tepër Kastrioti mori vetëm një goditje në portë, për t’u kthyer më pas në tabelë qitje me Partizanin.
Në këtë moment ndërgjegjësimi te Kastrioti rritet më tepër për t’u mobilizuar në të njëjtën mënyrë ndaj kundërshtarëve të saj, pa u vendosur “njolla”. Nga ana tjetër ajo që duhet kuptohet është fakti se kalendari është i ngjeshur duke zhvilluar dy ndeshje në javë dhe është e vështirë për këto skuadra që të mbajnë të njëjtin ritëm. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/