Të dielën në Laç kapitenë, për koincidencë, ishin dy portierët. Një foto e veçantë, për histori: nuk ka ndodhur kurrë që në Superiore të zbresin në fushë dy skuadra që jo vetëm i kanë portierët kapitenë, por edhe që njëri të jetë më i moshuari në fushë e tjetri një ndër “fëmijët” e ndeshjes. Orges Shehi është 40 vjeç, ka fituar gjithçka në Superiore (6 herë kampion), ka shkuar në Europian dhe është një legjendë e vërtetë, i respektuar anembanë Shqipërisë. Ka ndërmend ta lërë futbollin, për t’u hapur rrugën më të rinjve, por në Korçë i luten të vazhdojë. Deri në fund të sezonit me siguri do të jetë “korçar”.
Në krahun tjetër, Gentian Selmani është vetëm 19 vjeç, praktikisht mund të ishte i biri i Shehit. Në Superiore i ka dhënë besim vetëm Laçi, klubi që po e rrit prej 3 sezonesh dhe që e ka bërë një personazh mjaft të rëndësishëm të kampionatit. Sa për statistikë: Selmani është futbollisti më i aktivizuar U-21 në Superiore, titullari i vetëm U-20. Skënderbeu kërkon portier dhe flitet se Enea Koliçi e ka një marrëveshje verbale prej kohësh, por ndoshta investimi i vërtetë do të ishte Selmani, portier që në vazhdën e projektit të Skënderbeut, mund të përfundonte në Europë pas ndonjë sezoni tjetër të artë europian.
Vetë Shehi e ka përsëritur edhe pak ditë më parë: Skënderbeu i ka dy portierë të rinj e të talentuar, si Teqja dhe i huazuari Dajsinani, ndaj ndoshta linja e duhur për t’u ndjekur është ajo e të rinjve. Fundja, rasti Selmani e konfirmon, nëse të rinjve u jepet besim, ata ta shpërblejnë. Nëse pastaj një 19-vjeçar bëhet kapiten në Superiore, aty ku askush nuk të pret që të rritesh, atëherë bëhet fjalë për një lojtar që vlen shumë.