Një femër tërheqëse dhe e shkujdesur apo serioze dhe pa bukuri? Rasti i Vllaznisë së Brdariç dhe Plorit, tifozët duan…perfekten

Një tjetër barazim mori Vllaznia në ditën e sotme ndaj Partizanit. Ndeshje që mund të diskutohet për shumë pjesë, për vendime arbitrash, për performancat e treguara nga disa lojtarë të caktuar dhe mendimet do të jenë të ndryshme. Por të gjithë bien në një mendje se këtij dueli i ka humbur shumë hijeshi nga përballjet e mëparshme.

Elvis Plori është ende në kërkim të fitores së parë, nuk po vjen ende. Problemi më i madh i këtij trajneri është aspekti psikologjik i lojtarëve që pas largimit të Brdaric, teksa nuk po ndizen në momentin vendimtar të garës.

Tifozët bëjnë gjithmonë krahasimet, si ishin më parë dhe si janë aktualisht. Ekipi i Brdariç dhe i Plorit ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri, këtu po flasim vetëm për mënyrën e paraqitjes në fushë. Nën drejtimin e gjermanit, Vllaznia e niste “zjarr” në minutat e para duke prodhuar në vetëm 20 minuta loje, aq sa prodhonin aksione sulmuese të 4 ndeshjet e tjera të Superiores, të mbledhura sa bashku.

Më veçanërisht në Shkodër ishte kjo fytyrë e Vllaznisë. Por në mesin e këtyre rasteve të pafundme, vetëm një ose dy prej tyre në rastin më të mirë, përfundonin në rrjetë. Me kalimin e minutave dhe në pjesën e dytë, skuadra niste të lëshonte dhe zbulohej në prapavijë për të djallosur gjithçka, shpeshherë me vendosje qesharake që të bënin të dyshoje realisht mbi Brdaric.

Për këtë arsye gjermani ka marrë kritika të pafundme, se me një futboll të tillë nuk fitohet. Nga krahu tjetër, me Plorin po aplikohet tërësisht e kundërta, të paktën deri tani dhe mesa kemi parë. Vllaznia është shumë e kujdesshme, ka hequr dorë nga ndezja dhe marrja flakë që në minutat e para. Në tre ndeshjet me Partizanin ka pasur vetëm një lojë shahu, duke hequr dorë nga bukuria.

Rezultatet në fund i japin më tepër pikë Plorit në këtë lojë shahu me Mehmetin, pasi arriti të eliminonte Partizanin duke shkuar në gjysmëfinalen e Kupës. Por tifozët tani kritikojnë se ekipi i tyre nuk është më tërheqës për t’u ndjekur, nuk fal më emocionet e dikurshme. Pra mes një femre tërheqëse dhe të shkujdesur, karshi asaj që vjen në standartet e një serioziteti më të madh dhe pa bukuri, tifozët kërkojnë femrën ideale dhe perfekte, që në fakt…nuk ekziston. Gjithmonë duhet të zgjedhësh… /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *