Nikolo Barela është transferuar tek Interi për 45 milionë euro, por zemra e tij i përket Kaljarit. Në atë klub është rritur dhe që në vegjëli e ka ëndërruar të mbrojë ngjyrat e skuadrës së qytetit të tij. E realizoi atë dhe tanimë nis një rrugëtim të ri me Interin. Një lëvizje që çdo futbollist do e donte, por mesfushori nuk mund të mos e kthente kokën pas dhe të përcillte një mesash për tifozët, shokët dhe drejtuesit e Kaljarit. I riu nuk dëshiron që askush të mos i thotë: “Ike për para”. Ndjenjat e tij për ish-klubin janë të sinqerta.
“Të dashur tifozë, i dashur klub, i dashur president dhe të dashur shokë! Jam duke përjetuar një ndjenjë të çuditshme. Karriera ime si futbollist profesionist po më largon nga toka ime, nga qyteti im, nga familja ime dhe nga miqtë e mi më të dashur. Po më çon matanë detit, larg shtëpisë, larg nga shtëpia ime: Kaljari.
Mund të them se ka qenë shtëpia ime që nga dita që u bashkova me të rinjtë, ose ndoshta ka qenë gjithmonë. Jam një djalë me fat, pasi pata fatin të mbroja ngjyrat e skuadrës për të cilën kam bërë tifozllëk që kur isha fëmijë. Kam realizuar ëndrrën time, të lindur në fushat në periferi, ku babai më merrte në ndeshjet e tij të veshur me një fanellë të Kaljarit dhe duke goditur topin që ishte më i madh se unë.
Duke u rritur shkova rregullisht në stadium, duke vuajtur për ngjyrat tona. Kam admiruar klasin e kampionëve si Andrea Kosu, Marko Sau dhe Daniele Konti. Në një moment u gjenda në stërvitje dhe ndaja dhomën me ta. Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që kam përjetuar kur për herë të parë u futa në dhomat e zhveshjes në Aseminelo.
Nga të gjithë u përpoqa të mësoja diçka, në aspektin teknik dhe jo vetëm. Ata ishin mësues të mirë, transmetuan tek unë ndjenjën e sakrificës, vlerën e të vuajturit dhe të përfshirjes në grup. Dashuria për fanellën ishte brenda meje. U përpoqa të punoja shumë për të ndihmuar ekipin të arrinte të gjitha objektivat. Në fushë dhashë gjithçka, gjithmonë, nga minuta e parë deri në të fundit. Ndodhi kështu në çdo ndeshje. Kam humbur dhe kam dhënë goditje, kam debatuar me arbitrat dhe jam grindur me kundërshtarët. Kam festuar, bërtitur dhe qarë.
Të luaj për Kaljarin është kënaqësi, nder dhe përgjegjësi: diçka që i bën më të ëmbla fitoret dhe dyfishon peshën në zemër kur humbet. Përtej kënaqësive personale, kam vendosur skuadrën në plan të parë. Ishte e vetmja gjë që kishte rëndësi. Fanellën e Kaljarit jam munduar ta nderoj me të gjitha forcat, besoj se ia kam dalë mbanë”, shkruan Barela përzemërsisht.