“Një ditë Tirana do të jetë në “Europa League”, Albi Doka mes emocioneve: Përjetimi i ftesës së Shqipërisë…

Albi Doka ka marrë ftesën nga trajneri Reja sa i përket tre ndeshjeve të ardhshme që do të zhvillojë Shqipëria, atje ku do të ketë edhe një përballje miqësore ndaj Armenisë. Aktualisht mbrojtësi është pjesë e Goricës në Kroaci dhe menjëherë do të gjente vendin e titullarit në skuadër.

Në një intervistë për “Supersport”, Doka ka treguar edhe përjetimin e ftesës nga Kombëtarja. Ndërkohë nuk mund ta harrojë lehtë Tiranën, vendin që e formoi dhe e ndihmoi për të hedhur një shkallë më të madhe në karrierë. Eliminimin nga Young Boys e konsideron si një fat të munguar që i hoqi mundësinë për të qenë pjesë e grupeve në “Europa League”.

“Jam jashtëzakonisht shumë i lumtur sepse është një ëndërr e bërë realitet. Si çdo fëmijë e kam pasur ëndërr që një ditë ta vesh fanellën e kombëtares dhe e arrita këtë ditë. Unë jam gati të vij dhe të bëj më të mirën, luaj apo jo, e ka në dorë trajneri.

Kam dy muaj në Kroaci dhe jam ambientuar shumë shpejt. Shokët e skuadrës dhe trajneri më kanë pritur shumë mirë, shpresoj të vazhdoj me paraqitjet pozitive. Plani im është të bëj sa më mirë me ekipin dhe pse jo të transferohem në një kampionat më të fortë.

Tirana është dhe gjithmonë do jetë në zemrën time. Përsa i përket eliminimit në Europa League, mendoj se ishte një kundërshtar shumë i fortë përballë dhe fati nuk donte që Tirana të ishte në grupe, megjithatë jam i sigurt që bardheblutë do jenë një ditë në grupet e Europa League”, ka thënë Doka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *