Një dekadë pritje, ndryshim historik për “Topin e Artë”

0

Një dekadë pritje. Dhjetë vjet dominim absolut. Më në fund… ndryshimi. Historik në këtë rast. “Topi i Artë” pritet që më në fund të ndryshojë pronar. Pas 10-vjeçarit të dominuar nga dyshja Lionel Mesi-Kristiano Ronaldo, tashmë ka ardhur koha që fitues i trofeut më prestigjoz individual të jetë një tjetër.

Prej kohësh përfliten tre emra të rinj. Mes spekulimeve dhe sinjaleve që vijnë nga Franca. Ata janë Kilian Mbape, Rafael varane dhe Luka Modriç. Kur kanë mbetur vetëm dy javë nga ceremonia e dorëzimit të çmimit më të lakmuar, “L’Equipe” ka publikuar në faqet e saj zyrtare në rrjetet sociale reklama të evenimentit, ku vëmendja është përqendruar natyrshëm te këta tre lojtarë.

Mbape shfaqet i pari, më pas Varane dhe pas dy francezëve, Luka Modriç. Vetëm më pas, vijnë kandidatët e tjerë për trofeun. Video niste me Kristiano Ronaldon, i cili ishte fitues i edicionit 2017 të “Topit të Artë”. Menjëherë pas yllit portugez, vinin Mbape, Varane dhe Modriç.

Tre futbollistët, që cilësohen edhe si kandidatët potencialë, shfaqeshin edhe në fundin e klipit, ekzaktësisht sipas të njëjtës radhë. Me siguri mund të thuhet se mes pretendentëve për çmimin nuk është Grizman, që përveçse shfaqej pak në video, ndryshe nga shokët e përfaqësueses, ishte me fanellën e Atletikos së Madridit dhe jo me uniformën e Francës, me të cilën triumfoi në Botërorin 2018.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.