Revolucion në futboll, ky është plani i Xhani Infantinos. Revista franceze l’Equipe shkruan se presidenti i FIFA-s do të vijojë me rinovimin dhe ndryshimet madhore në futboll, duke futur risi që do të kenë si qëllim shtimin e ndeshjeve të mëdha dhe natyrisht arkëtimin e shifrave të frikshme nga FIFA.
Tani Infantino po mendon të organizojë një mini-Botëror, me 7 ndeshje që do të luhen nga tetori deri në nëntor, ndoshta duke nisur që prej vitit 2021. Protagoniste 8 skuadra kombëtare: një Botëror i vogël, që do të zhdukte Kupën e Konfederatave dhe do të ecte paralel me Nations League, risia e UEFA-s.
OFERTA – Një grup investitorësh kanë blerë, sipas L’Equippe, të drejtat për këtë kompeticion, duke paguar një shifër monstruoze: 25 miliardë dollarë. Pikërisht gjetja e investitorëve ka nxitur FIFA-n ta mendojë realisht organizimin e kompeticionit të ri dhe ta aprovojë së shpejti. Duhet parë ende si do të përzgjidhen 8 ekipet pjesëmarrëse, sepse sido që të shkojë, do të ketë debate. Nëse shkojnë 8 të parat në renditjen e FIFA-s, mund të mbeten jashtë emra si Italia e kombëtare të tjera legjendare. Nëse zgjidhen emrat që do FIFA, do të kishte protesta pa fund nga vendet që nuk do të ftoheshin, apo nga konfederatat që nuk do të përfaqësoheshin. Me 8 kombëtare, është e vështirë që FIFA të kënaqë të gjithë, sepse nëse ftohen Argjentina e Brazili, ashtu si Gjermania, Spanja, Italia, Franca e Anglia, i bie që lihen jashtë shumë vende me futboll të zhvilluar dhe nuk i kushtohet fare rëndësi Azisë ose Afrikës.