Haxhi Neziraj ka kryer vizitat mjekësore me skuadrën gjatë paradites së djeshme, ndërkohë që e ardhmja vendoset ditët në vazhdim. Nuk përjashtohet mundësia e qëndrimit të tij në Vlorë. Ai ka kryer testet mjekësore normalisht dhe duket se e ardhmja e tij është e lidhur me Flamurtarin, ku ai ka edhe një vit kontratë. Në fakt, për këtë lojtar është thënë se duhet të pranonte kushte të tjera kontrate, por ende nuk është e qartë, nëse ka ndodhur një gjë e tillë apo do të diskutohet më vonë.
Në dispozicion të trajnerit Duro kanë qenë edhe lojtarët e afruar këtë verë, si dhe ata të mbetur nga sezoni i shkuar, ndërkohë që ka munguar Danilo Alvesh, për të cilin klubi ka informuar se do të bashkohet me grupin më 26 korrik, në Mavrovë, ku do të zhvillohet faza përgatitore.
Janë edhe disa lojtarë të rinj vlonjatë, të cilët kanë shansin të bindin stafin teknik të Flamurtarit, pasi do të stërviten me të gjatë fazës përgatitore. Afrimet dhe largimet ishin të shumta në ekip, por grupit i janë bashkuar edhe këta të rinj, për të cilët do të vendoset më pas se si do të veprohet, do të huazohen në skuadra të tjera apo do të qëndrojnë. Portieri Sali kthehet nga huazimi tek Orikumi, kurse Qirko ishte edhe sezonin e kaluar pjesë e skuadrës. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe lojtarë si Sadushi, Qarri, Tushi dhe Bocaj.
Lojtarët e ardhur nga U-19:
Portierë: E.Sali, P.Qirko
Mbrojtës: B.Naçi, M.Qarri, A.Shkurti
Mesfushorë: D.Bocaj, Xh.Tushi, A.Dalanaj, D.Sadushi
Sulmues: J.Qarri