Menaxheri i mesfushorit të Sitit, Jaja Ture i është kundërvënë trajnerit Guardiola, pasi spanjolli kishte deklaruar para ndeshjes kundër Fejnordit në Champions se mesfushori nga Bregu i Fildishtë nuk është ende gati. Dimitri Seluk ka çelur një tjetër kapitull të betejës së tij me trajnerin spanjoll të Sitit. Ai nuk e ka kapërdirë deklaratën e Guardiolës dhe ka ngritur pretendimin se Jaja Ture gëzon formë optimale dhe i takon Guardiolës të vendosë nëse dëshiron ta aktivizojë mesfushorin veteran apo jo. Jaja Ture nuk ka luajtur asnjë minutë në këtë sezon dhe Seluk ka fajësuar Pepin për këtë gjë. Në një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale, Seluk ka shkruar: “Jaj është në formë të shkëlqyer dhe ai do ta vërtetojë shumë shpejt. Ai është gati për të luajtur, por i takon Guardiolës të vendosë.”