Nis ndërtimi i selisë së re të FSHF-së, Rama: Projekt madhor për sportin, jo për zgjedhjet

0

Federata Shqiptare e Futbollit do jetë këtë një shtëpi të re pas 18 muajsh. Sot te klubi Dinamo, që në fakt vetëm emrin ka të tillë, sepse Dinamon e kanë përzënë prej kohësh, u inaugurua starti i punimeve për ambientet e reja të federatës, me zyra, por edhe fushat ku do të stërvitet kombëtarja, që deri tani endej mes Tiranës e Durrësit. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe presidenti i federatës, Armand Duka, si dhe kryeministri Edi Rama.

DUKA “Jam i lumtur që federata bëhet me një kompleks të vërtetë, që nuk do të jetë thjesht kompleks për zyra, por një kompleks me fusha të parametrave ndërkombëtare, që do të shërbejë për ekipet kombëtare në çdo drejtim, nga stërvitja e ekipit të parë e deri te ekipet e moshave. Është një projekt që vijon bashkëpunimin mes federatës dhe qeverisë, pas bashkëpunimeve për stadiumet, më i fundit stadiumi kombëtar në Tiranë, që do të jetë ndër më cilësorët në rajon. Uroj që pas 18 muajsh të jemi sërish bashkë këtu për inaugurimin e këtij kompleksi”.

RAMA “Uroj që shiu të jetë ogur i mirë jo vetëm për këtë projekt, por për futbollin në tërësi. E di që do akuzohem se do futem në procesin zgjedhor të federatës.  Nuk ka problem, deri dje me akuzuan se dua të marr federatën, sot do me akuzojnë se mbështes federatën, por jam këtu për një projekt që nuk ka lidhje me zgjedhjet në FSHF. Është një projekt në lidhje me të ardhmen e futbollit shqiptar, për të inauguruar filmin e punimeve për një mikro-Koverçano, ku do të zhvillohen kurse e kualifikime dhe jo vetëm kaq.

Si ish-sportist, me vjen shumë keq për klubin Dinamo, sepse do të prishet godina e sukseseve historike të Dinamos, por kjo godinë ka pushuar së qeni shtëpia e Dinamos prej shumë vitesh dhe në të kanë pasur shtëpinë federatat e tjera. U ndërtuan godina të reja për federatat e tjera dhe tani do të vijojë faza e dytë e Parkut Olimpik, duke bërë FSHF-në me një shtëpi të re. Në fazën e tretë do të ketë transformim të zonës mes kopshtit botanik dhe atij zoologjik. Edhe një herë, mos më ngatërroni me fushatën”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.