Vetëm një javë duruam dhe menjëherë nisin polemikat e ashpra, me arbitrimin në shënjestër. Ilir Daja, i tërbuar pas barazimit në Kamzë, akuzon gjyqtarin Klajdi Kola se ka dëmtuar me qëllim Skënderbeun.
Duke folur në Supersport, Daja deklaroi: “Nuk dua t’u krijoj alibi lojtarëve që t’ia kalojmë komplet fajin gjyqtarit, se mund ta çonim vetë ndeshjen 2-0, por më vjen shumë keq se në një ambient Fair-Play, ku gjithçka ishte e qetë, të menaxhosh lojën në këtë farë mënyrë, nuk them se është paaftësi, është e mirëmenduar nga arbitri. Po të shohësh pjesën e dytë, lojë efektive ka shumë pak. Kishte 3-4 lojtarë që tërhiqnin në mënyrë të vazhduar lojtarët tonë, ndërsa për një prekje të pavullnetshme të Lilajt jepet karton. Diçka e vazhdueshme dhe e të përsëritur, çdo kontakt për ne ishte lojë në avantazh, për ata ishte ndërprerje. Në fund të bie në sy që vetëm tre minuta qëndroi barela në fushë në pjesën e dytë, u bënë 5 ndërrime dhe gjyqtari jep shtesë prej 3 minutash”.
Gjithsesi, trajneri i skuadrës korçare mundohet të flasë edhe për futboll: “Kishim vetëm një situatë të rrezikshme në portën tonë dhe kundërshtari mori barazimin, por ky është futbolli. Bëmë rotacion me pesë lojtarë, të rinjve u duhet kohë të përshtaten me manovrën e ekipit. Pas avantazhit në pjesën e parë kontrolluam gjithçka, mund të bëhej avantazh më i thellë, kemi bërë në pjesën e dytë manovra jo të mira në sulm, qoftë si individ, qoftë edhe nga këto të sapofutur, gjë që solli humbje energjish dhe manovrës së lojës. Por kjo, në raport me paraqitjet tona, jo të kundërshtarit. E them se goli i pësuar ishte një moment me humbje përqendrimi të krahut të majtë dhe mbulimi i lojtarëve në zonën e golit. Momenti i golit ishte një humbje përqendrimi dhe i disa topave në krah, ku ishim në zonën e ndërtimit. Ishte lëshim total i përqendrimit, e të gjithë treshes në krah se menduan t’ia linin njëri-tjetrit, kur duhej të ishin të interesuar që të bënin presion. Pastaj në dinamikë ishte veprim gabim i komplet pjesës tjetër të mbrojtjes në zonën e golit”.
Ndoshta Skënderbeu duhej të kërkonte ta mbyllte ndeshjen më herët: “Mund të shkonim më shpejt të goli, por gjendja jo e mirë fizike, lodhja te lojtarët që kanë luajtur në Europë 90 minuta si Vangjeli, Radas, Mici apo Soue, bëri që pjesa e dytë të shkonte në atë lloj mënyrë”.