Trajneri paralajmëron bardheblutë se në janar skuadra do të përforcohet dhe do të luajë deri në fund për t’u ngjitur një kategori më lart
Trajneri i Bylisit, Stavri Nica ka qenë shumë i kënaqur me fitoren e djeshme që ka arritur ekipi i tij ndaj Tiranës. I qetë dhe dukshëm i lumtur me atë që tregoi skuadra në fushë, Nica rrëfen sesa e vështirë është Kategoria e Parë dhe çfarë do të bëjë ai, që Bylisi ta luajë deri në fund mundësinë për të qenë në Superiore.
-Një fitore e rëndësishme. Mundët ekipin e vendit të parë, që nuk kishte pësuar gol dhe që mundej po për herë të parë?
-Normalisht ishte një fitore e madhe. Ia dolëm. Me ato rezultate që kishte, Tirana ishte e përgjumur, sepse mendon që ndeshjet i ka rrugë të hapur apo autostradë. Por e këshilloj këtë skuadër se do të ketë vështirësi në të ardhmen. Nuk është aq e lehtë të fitosh në këtë kategori. Nga përvoja ime kjo kategori është shumë e vështirë. Ne gjithsesi, flasim për veten tonë. Do të mundohemi maksimalisht që të bëjmë më të mirën, me këto mundësi që kemi. Në janar do të afrojmë lojtarë të mirë. Këto janë premtime të presidentit. Në këto kushte edhe ne do të konkurrojmë Tiranën për një vend në Superiore. Është plotësisht e mundur.
-Pamë një Bylis ndryshe?
-Impenjimi kundër Tiranës nga ana e skuadrës time ishte maksimal. Shpresoj që të ngjitemi sa më shumë në renditje, por duhet të pranoj se kemi shumë punë për të bërë për të qenë në grupin për Superioren.
– Sa keq që keni lënë gjashtë pikë, por jeni ende të pamposhtur?
-Pikët që kemi lënë janë problemi më i madh që kemi dhe ia kemi lënë përvojës. Siç dështoi sot Tirana, kemi dështuar edhe ne në fusha të tjera. E mira është se nuk humbëm, ndonëse në çdo ndeshje duhet të jemi të përqendruar. Çdo takim nuk duhet të konsiderohet i lehtë, sepse “të nxjerrin sytë” ata që s’ta pret mendja. Kemi edhe dy ndeshje për këtë fazë, por shpresoj të marrim maksimalen, duke ruajtur këtë ritëm. Vetëm kështu jemi konkurrentë të denjë.