Ngo nuk ndalet më, por Tirana është në ankth për afrimin e fundit

Anglezi zgjidh ndeshjen në katër minuta, ndërsa bardheblutë me skuadrën rezervë fitojnë edhe sfidën e dytë me Besën dhe kualifikohen në turin tjetër

Olsi Avdiaj  

Nuk ka asnjë vështirësi për Tiranën në ndeshjen e dytë të Kupës së Shqipërisë. Skuadra bardheblu fiton 2-0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 4-1, eliminon Besën në turin e parë të Kupës, duke kaluar në turin e dytë ku e pret një surprizë. Vllaznia që i zbriti në Kategorinë e Parë, por deri më 18 tetor ka kohë plot për të menduar.

E djeshmja, faktikisht ishte një ndeshje miqësore mes Tiranës dhe Besës, dy skuadra që kishin zgjedhur dy formacione me rezerva. Nga bardheblutë, Lika, Uellison, Mauexhe dhe Ngo ishin titullarët e vetëm në fushë. Nga kavajasit luante gjithë ekipi i dytë. Dhe interesimit të tifozëve bardheblu menjëherë i përgjigjet skuadra që mban trofeun e Kupës së Shqipërisë. Ngo mbyll çështjen kualifikim në 12 minuta dhe dy gola në 240 sekonda, ku në të tetën dhe 12-ën vulos rezultatin. Ndeshja më pas bëhet miqësore, me përjashtimin e vetëm të dëmtimit të Binguilës, i cili që në takimin e parë titullar lë fushën e lojës. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-0. Edhe në pjesën e dytë nuk ndryshon gjë, ndonëse kavajasit kanë disa shanse për gol, ashtu si edhe bardheblutë që i afrohen “tris”-it me Levendin. Në fund me rezultatin e përgjithshëm 4-1 kualifikohet Tirana, që e sheh veten në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ndonëse duhet të përballet me një njohje të vjetër, Vllazninë.  

Kundër Vllaznisë –  Besa u kalua, por Tirana do të luajë kundër Vllaznisë më 18 tetor, ekipit që e zbriti një kategori më poshtë në atë ndeshje finale majin e shkuar. Një sfidë e veçantë ajo e turit të dytë të Kupës, pasi është klasikja e Shqipërisë, por që merr një ngjyrim tjetër, pas takimit të fundit në “Loro Boriçi”. Një përballje, ku bardheblutë kërkojnë hakmarrje, ndonëse nga poshtë, sepse luajnë në Kategorinë e Parë.

Dëmtimi i Binguilës – Hardi Binguila është dëmtuar në sfidën e djeshme që Tirana zhvilloi në Kupë. Edhe pse duhet të bëhet një rezonancë magnetike, sipas stafit mjekësor të Tiranës, lojtari ka një tërheqje në kofshë dhe kongolezi rrezikon jo pak. Burime pranë klubit bëjnë me dije se lojtari ka ardhur gjysmë i dëmtuar dhe ky fakt i dëmton jo pak planet e bardhebluve për sezonin. Një diagnozë përfundimtare klubi do ta japë në ditët në vazhdim.

E mërkurë 27 shtator 2017, ora 15.00, stadiumi “Skënder Halili”, Tiranë

Tirana – Besa       2-0

Shënues: Ngo 8′, 12′

Tirana: Lika, Nuriu, Bishaj, Uellison, Çelhaka, Mauexhe, Qilimi, Binguila (Basha 32′), Ngo (Levendi 46′), Greca (Doka 76′), Halili. Në dispozicion Shehri, Cake, Daja, Sentamu. Trajner Ze Maria.

Besa: Kaloshi (Rexhepaj 46′),  Bushi, Ramilli (Biba 50′), Ngjela, Kullolli, Brahimaj, Isufi, Kovaçi, S.Çelhaka, Oshafi, Morina (Hoxha 46′). Në dispozicion Cara, Hoxha, Selita. Trajner: Bledar Sinella.

Gjyqtarë: Hermal Llapra, Renato Malaj, Elis Pupaj, Ardit Merdanaj(Vlorë)

Kartonë të verdhë: Morina 31′, Bushi 78’/ Greca 75′

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *