Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot teksa në Slloveni është duke u zhvilluar Kampionati Ballkanik i të rinjve U-17 në disiplinën mundje. Mundësi shqiptar, Leonardo Frrokaj ka humbur ndjenjat gjatë garimit dhe ndeshjes së tij, duke dëmtuar vertebrat e shtyllës kurrizore. Frrokaj, i cili është edhe kampion Shqipërie në kategorinë 63 kg dhe që merr pjesë në stilin greko-romak, po ndeshej me kundërshtarin e tij nga Moldavia për medalje të artë ose të argjendtë, por ka ndodhur edhe aksidenti dramatik.
Federata Botërore e Mundjes dhe organizatorët i kanë ardhur në ndihmë sportistit shqiptar, të cilin e kanë transportuar me helikopter në Lubjanë, ku i është nënshtruar një operacioni për rreth 4 orë. Në ndihmë, Frrokajt i ka ardhur edhe ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi, si dhe diplomatë të tjerë. Për momentin situata shëndetësore mbetet e rëndë, me 17-vjeçari që qëndron në gjendje kome deri në ndërhyrjen tjetër, me të cilën mjekët po përpiqen që t’i rikthejnë frymëmarrjen natyrale dhe lëvizjen e gjymtyrëve.