Ngjarja Gjoka, Vllaznia ndryshoi që atë ditë

0

Askush nuk ka pasur dyshime që ky grup lojtarësh mund të bëjë diçka më shumë se rënia nga kategoria apo lufta për mbijetesë. Shumica prej tyre kanë fituar tituj e trofe në të shkuarën dhe teorikisht duhet ta ndjenë këtë fanellë më shumë se kushdo tjetër. Por ndonjëherë nuk e kupton se çfarë ujërash je dhe duhet një shkundje për tu zgjuar e për të treguar sa vlen. Në mënyrë ironike Vllaznisë i bëri mirë ngjarja Gjoka. Bashkoi grupin, rriti ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë. Vllaznia nuk mund të jetë në faqe të parë për kronikën e zezë. Duhet të jetë për fitoret. Patjetër që ndaj Flamurtarit kishin dhe momentin me vete. Kundërshtarit i mungonte 70% e skuadrës, por 3-0 është gjithnjë 3-0. Mbi të gjitha pasioni. Sukaj kishte kohë pa festuar ashtu, ndërsa Vucaj kishte të paktën 4 vite që nuk luante si atë mbrëmje. Si ka mundësi që gjithë këtë kohë nuk ishte asnjëherë versioni i tij më i mirë?

Që nga momenti që Gjoka u kërcënua me vdekje, skuadra ka dhënë më të mirën e saj. 5 ndeshje, 3 fitore, një barazim i pranueshëm në Gjirokastër dhe një humbje e pamerituar në Laç. Për më tepër, një triumf 2-0 ndaj rivalit direkt. Ku e gjeti forcën ky ekip për t’u kthyer në vetveten dhe për të lënë mënjanë ndonjë mëri apo pakënaqësi brenda grupit?

Bashkia, trajneri dhe skuadra është zgjuar. Tani u takon tifozëve të luajnë ndeshjen e tyre. Ata duhen kuptuar. Prej vitesh nuk marrin atë që duan, Vllaznia, sfiduesen e përhershme të klubeve të kryeqytetit, ekipin simbol të një Shqipërie që ka dashur të thotë: futbolli nuk luhet vetëm në Tiranë. Prej kohësh kjo kënaqësi u është refuzuar, por ky nuk është momenti për ta kthyer kokën pas. Ky është momenti që ashtu si dinë ata, të mbushin stadiumin dhe t’u thonë futbollistëve, ‘ju nuk keni qenë asnjëherë vetëm’. A nuk ishte mëkat që fitorja më bujshme e Vllaznisë në këtë kampionat u pa vetëm nga 500 tifozë? Kushedi sa janë penduar mijëra të tjerë që nuk kanë qenë në “Loro Boriçi”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.