Ngatërresa te Lushnja, ka pasur akord për shtyrjen  

0

 

Artur Çobani, koordinatori i sporteve në Bashki, sqaron se ka pasur një marrëveshjen me FSHF-në dhe Vllazninë për shtyrjen e ndeshjes

Arjan Likja

Shtyrja e ndeshjes Vllaznia-Lushnja ka sjellë polemika, ku veç skuadrave që përballen mes tyre, edhe ekipe të tjera kanë reaguar ditën e hënë dhe të martë. Edhe brenda klubit të Lushnjës ka pasur deklarata kundërshtuese në fakt, por tashmë është sqaruar gjithçka nga ana e Artur Çobanit, koordinatorit të sporteve pranë Bashkisë së Lushnjës. Dhe në këtë mes duket se ka pasur një ngatërresë mes drejtuesve të klubit myzeqar. Komunikimi i drejtuesve të FSHF-së dhe drejtuesve të Vllaznisë para se të merrej vendimi është bërë direkt me Kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushen, ndërkohë që në klub nuk kishin asnjë informacion në lidhje me këtë çështje.

DEKLARATA – Një ditë pas vendimit për shtyrjen me në javë të ndeshjes Vllaznia-Lushnja dhe reagimit të sekretarit të klubit myzeqar Irakli Zaka, është koordinatori Çobani i cili qartëson situatën: “Pa dyshim që e kishim përgatitur ekipin për ta zhvilluar ndeshjen me Vllazninë në datën e caktuar në kalendar. Edhe Vllaznia ishte dakord që ndeshjen ta zhvillonte në Lushnjë, pas problemeve të fushës së saj, por ky variant nuk na u duk i përshtatshëm, pasi kalendari do të na rëndohej me shumë ndeshje jashtë në fazën e fundit. Ka pasur një marrëveshje mes drejtuesve të dy klubeve që ndeshja në fjalë të shtyhet me një javë. Një shkak tjetër, që nuk bëri të mundur zhvillimin e këtij takimi në fushë asnjanëse, ishte refuzimi i disa stadiumeve, si ai i Laçit, Krujës dhe i Tiranës. Duke gjykuar edhe faktin se mbjelljen e tapetit me bar të ri drejtuesit e Vllaznisë e bënë të imponuar nga FSHF-ja, gjykuam që vendimin për shtyrjen e ndeshjes t’ia linim në dorë asaj. Ky vendim është marrë me aprovimin e krerëve më të lartë të dy klubeve respektive”, – ka thënë mes të tjerash drejtuesi i Lushnjës, Artur Çobani.

Kështu, për shkak të një mosrakolrdimi mes drejtuesve të klubit lushnjar ka ardhur edhe ai reagim nga sekretari Irakli Zaka, por gjithçka ka rënë poshtë dhe dje është sheshuar gjithçka në lidhje me vendimin e fundit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.