Nga Xhevdet Zekaj/ Letër e hapur për Benet Becin! Shkodra ka dy simbole, Kalanë e Rozafës dhe futbollin e femrave

Nga prof. dr. Xhevdet ZEKAJ

Urime për fitoren dhe shpresën që iu ke dhënë njerëzve për një Shkodër ndryshe. Shkodra ndryshe, ose ecja e saj përpara nuk mund të kuptohet pa futbollin kuqeblu, i të gjitha niveleve, sepse ky sport është fe’ për zotnillëkun e kryeqendrës së veriut. Kuptohet, edhe sportet e tjera kanë peshën e tyre, kanë nxjerrë kampionë të mëdhenj, janë emblema e Shkodrës. Në vizionin tuaj, me siguri duhet të jetë edhe sporti i femrave, krenaria e Vllaznisë, Shkodrës, por edhe e krejt shqiptarisë.

Zoti Beci; Shkodra ka dy simbole: kalanë e Rozafës dhe futbollin e femrave. Duam apo nuk duam, titujt kampionë kombëtarë radhazi, shkuarja deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, janë suksese që do të krenonin cilindo shqiptar edhe në fund të botës, jo më shkodranët, njeriun e parë të qytetit të artit, sportit, kulturës, arsimit e gjithçkaje meritore. Pra, mos e lini mënjanë mbështetjen për Vllazninë e femrave, përkundrazi, shfrytëzojeni imazhin e saj të ndritur për atë që ju e keni proklamuar si Shkodra ndryshe.

Në të vërtetë, Vllaznia e femrave është realitet krejt ndryshe jo vetëm për futbollin shkodran, por edhe atë shqiptar, një krenari kombëtare më vete. Me rezultate dhe jo me fjalë, në fushën e blertë dhe kurrsesi në letër a projekte 3D. Ato vajza kuqeblu, që ne i kemi konsideruar heroina të vërteta, duhet të vlerësohen tamam nga pushteti lokal. Ato ia kanë kaluar futbollit të meshkujve në rezultate, kanë sjellë në “Loro Boriçi” hiç më pak se emra gjigantë të futbollit europian si PSG, Chelsea, Real Madridi.

A mund të ketë imazh më të mirë për Shkodrën se kaq? Me siguri jo. Në Botërorin e femrave që po luhet këto ditë ka mjaft vajza që ishin kundërshtare të Vllaznisë, ishin bujtëse në Shkodër për Champions League, me fanellat e Realit, PSG dhe Chelsea.

A duhet ruajtur kjo mrekulli shkodrane? Me siguri po, duke pasur mbështetjen dhe vëmendjen tuaj kryesore, mbi të gjitha. Vajzat kuqeblu duhen reklamuar si shembulli i duhur për t’u ndjekur nga të rinjtë, për t’u larguar nga veset e këqija të teknologjisë dhe rrugës, për t’u marrë me sport dhe nderuar Shkodrën në arenën kombëtare e ndërkombëtare.

Ky duhet të jetë ndër të tjera misioni i pushtetit lokal, të cilin ju përfaqësoni në emër të ecjes përpara, të ndryshimit. Vllaznia e femrave ka arritur majat vetëm me kontributin e familjes së Lazër Matija, por duhet mbajtur në të tilla nivele edhe me mbështetjen e bashkisë së qytetit. Një person i vetëm si presidenti Matija ka bërë mrekullira deri tani, por përfaqësimi europian kërkon mbështetjen e të gjithëve, sepse shpenzimet janë kolosale. Ka njësi administrative shumë herë më të vogla se Shkodra, të cilat bëjnë jashtëzakonisht për sportin e tyre.

Mjafton t’u kujtojmë Rrogozhinën, Orikumin e ndonjë bashki tjetër të vogël, për të kuptuar se Shkodra duhet t’i mbajë fort, madje në “pëllëmbë të dorës” heroinat kuqeblu. Ato janë ajka e sportit shkodran, ndaj duhen trajtuar sikurse e meritojnë. Ato kanë hyrë në histori duke luajtur në fazën e grupeve të Champions League, sukses që nënkupton historinë e vetë sportit shkodran. Vllaznia e femrave qëndron si “aureolë” në kokën e kryeqendrës së veriut, njësoj si kalaja e Rozafës.

Ato duhen ruajtur e mirëmbajtur si krenari shkodrane e shqiptare, mision i cili kalon më së pari përmes jush, vizionit që keni naltuar gjatë fushatës zgjedhore. Puna e presidentit Matija, e drejtorit të sporteve në bashki Alban Hasani dhe e trajnerit Leka kërkon një dorë të fortë mbështetjeje për të qëndruar në majë. Kjo “dorë e ngrohtë” duhet të jetë e juaja si kryebashkiak i Shkodrës, si iniciator i ndryshimit. Vllaznia është Shkodra dhe anasjelltas, ndaj kjo lidhje unike ju thërret edhe ju për mbështetje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *