Qeveria shqiptre i ktheu shpinën sportit në këtë kohë të vëshitë kur më tepër se kurrë e kishin nevojën e ndihmës së shtetit. Megjithatë Rama la jashtë paketës financiare të gjithë futbollistët, ndërsa atë që qeveria nuk e bëri e realizoi FSHF-ja. Por ajo që vlen të përmendet është edhe sensibilizimi dhe gatishmëria për t’u dhënë një dorë lojtarëve në nevojë nga figurat e njohura të sportit shqiptar.
Emrat e tyre i zbulon vetë kreu i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë të Shqipërisë, Andi Lila. Ky i fundit ka mbledhur një fond për të ndihmuar futbollistët në nevojë, ndërsa në një intervistë për “Syri TV” ka falenderuar emrat e njohur të futbollit shqiptar, të cilët kanë kontribuar në ngritjen e kësaj pakete financiare. Nga Xhevahir Sukaj, Besnik Hasi e deri te Foto Strakosha, lista është e gjatë e atyre që kanë vënë mirësinë para së gjithash dhe nuk janë kursyer për të dhuruar nga paratë e tyre për të ndihmuar kolegët në nevojë.
“Të jem i sinqertë, ndihmën e FSHF-së për futbollin e kemi vlerësuar. Por, nga takimet me futbollistët e Kategorisë së Dytë, ata thonë se ndjehen të tradhtuar nga shteti, nga qeveria. Klubet që janë të bashkive, nuk kanë paguar me pretektin që futbollistët janë të Federatës, ndërsa nga ana tjetër, Federata thotë që lojtarët janë të qeverisë. Ne si Sindikatë kemi krijuar një buxhet për futbollistët në nevojë, ku kanë ndihmuar ish-futbollistë të Kombëtares, të cilët nëpërmjet emisionit tuaj gjej rastin t’i falenderoj, siç janë Besnik Hasi, Erjon Bogdani, Ardian Aliaj, Armend Dallku, Ervin Skela, Foto Strakosha, Xhevahir Sukaj e disa të tjerë. Me donacionet e tyre kemi krijuar një fond dinjitoz, për t’i ardhur në ndihmë futbollistëve”, është shprehur Andi Lila./Halit Delibashi-Sport Ekspres/