Kosova ka dy ndeshje shumë të rëndësishme, të cilat mund të vendosin fatin e skuadrës së Shaland në Ligën e Kombeve. Si fillim kosovarët do të sfidojnë Maltën në shtëpi dhe për këtë sfidë interesimi është i jashtëzakonshëm.
Kosova është në grupin e saj e para me katër pikë dhe nëse bën mirë në dy takimet e radhës pa frikë mund të thuhet se është pretendentja numër një për të fituar në këtë grup. Gjithsesi, nuk është i këtij mendimi kapiteni Samir Ujkani, i cili thekson se favoriti kursor për këtë grup është Azerbajxhani, megjithatë nuk e mohon se cilësia në ekipin e tij është e madhe.
“E kemi një ditë më pak për t’u përgatitur. E rëndësishmi është që të përgatitemi taktikisht. Është ndeshja më e rëndësishme për ne, për të ardhmen tonë. Nuk mund të them se ne jemi favorit. Azerbajxhani është favorit, ne jemi favorit se kemi më shuam lojtarë me cilësi dhe talente. Kundër Maltës nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë një ndeshje e vështirë aq sa dhe e rëndësishme”, tha gardiani për “Supersport Kosova”.
Më pas ishte sulmuesi Atdhe Nuhiu, ai që tregon se në skuadër ka mjaft besim dhe se skuadra do të vijojë me paraqitjet e mira që ka bërë deri më tani: “Jemi të motivuar dhe kemi vetëbesim. Mendojmë se do të vijojmë aty ku e lamë”.
Radhën e kishte në fund talenti i Lokomotivës së Zagrebit, i cili ishte mjaft i lumtur për faktin se ai po realizon një ëndërr: “Është një ëndërr e realizuar. Gjithnjë kemi dashur që të luaj për përfaqësuesen tonë. Skuadra më ka pritur mjaft mirë dhe gjërat janë në rrugën e duhur”.